Dedaj: Opozita ka qenë gjithmonë e gatshme të ofrojë ekspertizën dhe kontributin e saj për integrimin

Rezoluta e përbashkët për integrimin europian, e miratuar në Kuvend, nuk shihet si një dëshirë e mazhorancës për bashkëpunim nga ana e opozitës, por si një detyrim i ardhur si pasojë e bllokimit të procesit nga vetë qeveria.

Sipas zëdhënësit për mediat të grupit parlamentar të PD-së, Everest Dedaj, ajo që ndodhi në parlament ishte në thelb një rezolutë e propozuar nga opozita, së cilës iu bashkua më pas edhe mazhoranca.

Në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Beti Njuma, Dedaj u shpreh se ky zhvillim i atribuohet rolit konstruktiv të Partisë Demokratike dhe forcave të tjera opozitare në lidhje me agjendën e integrimit.

Dedaj theksoi se opozita ka qenë gjithmonë e gatshme të ofrojë ekspertizën dhe kontributin e saj për ligjet që çojnë përpara procesin e anëtarësimit në BE, dhe kjo frymë, sipas saj, qëndron në themel të rezolutës.

Në një analizë të situatës, Dedaj e cilësoi konsensusin jo si një dëshirë, por si një "detyrim" për qeverinë, e cila, sipas tij, e ka futur procesin "në një ngërç mjaft të thellë" përmes vendimeve të saj politike.

Gjithashtu, ai hodhi poshtë lajmet për një telefonatë mes drejtuesve politikë, duke i etiketuar si "gënjeshtër e madhe" dhe pjesë e propagandës qeveritare që synon të krijojë "tymnaja për të fshehur të vërtetat".

Si dëshmi për presionin ndërkombëtar, Dedaj përmendi vizitën në Tiranë të kryetarit të Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian, i cili e cilësoi çështjen e drejtësisë dhe rastin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku si një "test kritik" për rrugën europiane të Shqipërisë.

Më tej, u theksua se një raport i fundit dhe i gjerë i komisionit AFET në Parlamentin Europian ka vënë gishtin mbi "plagët" që po mbajnë peng procesin e integrimit, duke filluar me çështjet e shtetit të së drejtës.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA E BETIT” NË “ORA NEWS”