Të premten, gara për kreun e Dhomës së Avokatisë Tiranë. Mes favoritëve Klodian Skënderaj

Të premten, më 22 maj, nga ora 09:00 deri në 18:00, në ambientet e Piramida e Tiranës do të zhvillohen zgjedhjet për kryetar të Dhomës së Avokatisë Tiranë. Në garë janë 8 kandidatë, mes tyre edhe emra të njohur të botës së avokatisë, të cilët synojnë drejtimin e DHAT për një mandat 4-vjeçar.

Për dekada me radhë, që prej vitit 2001, Dhoma e Avokatisë Tiranë është drejtuar nga avokati i njohur Fatmir Brakaj, ndërsa tashmë pritet zgjedhja e pasuesit të tij.

Janë rreth 1910 avokatë të regjistruar në degën e Tiranës, të cilët do të kenë të drejtën e votës për të zgjedhur kreun e ri të institucionit. Mes kandidatëve më të komentuar dhe favoritë në këtë garë përmenden Lulzim Alushaj, Sajmir Visha, Klodian Skënderaj dhe Edmond Petraj.

Kandidati Klodian Skënderaj

Klodian Skënderaj, ka përfunduar me rezultate maksimale (110/110) studimet universitare në vitin 2005, pranë Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Gjenoves, Itali.

Ushtron profesionin e avokatit për një periudhë rreth 15 vjeçare.

Në vitin 2014 ka përfunduar studimet e doktoratës në fushën e së drejtës së procedurës penale.

Prej vitit 2016 mban titullin “Profesor i Asociuar”.

Që prej vitit 2008 e në vazhdim është pedagog i lëndës “Procedurë Penale” pranë Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës e prej vitit 2015 e në vazhdim është pedagog edhe në lëndën “Ekzekutimi i Vendimeve Penale” në këtë fakultet.

Është autor i monografisë “Ekzekutimi i Vendimeve Penale”, literaturë për studentët dhe operatorët e sistemit të drejtësisë.

Përgjatë viteve 2018-2021ka qenë ekspert pranë Shkollës së Magjistraturës në Programin e Trajnimit Vazhdues. Gjithashtu është angazhuar si ekspert dhe në projekte të shoqatave të ndryshme me fokus ligjin procedurial penal dhe atë material.

Prej shtatorit 2020 – shtator 2024 ka qenë anëtar i Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës.

Është autor i një numri të madh punimesh shkencore të paraqitura në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe artikujve shkencorë të publikuar në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare.

Kandidati Lulzim Alushaj

Lulzim Alushaj, i cili kandidon gjithashtu edhe për një post si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, numëron 21 vite eksperiencë në ushtrimin e profesionit të avokatit.

Ai është diplomuar në Bolonja, ku ka përfunduar edhe studimet doktorale (PhD) në fushën “Qeverisja e Bashkimit Europian, Politikat Sociale dhe Fiskale”. Alushaj është gjithashtu avokat i licencuar edhe në Itali.

Në garë për drejtimin e DHAT janë edhe katër gra: Gentjana Qendro, Malbina Lika, Mirela Biba dhe Sonila Velo.