AVANCOJNË HETIMET PËR AKSHI! Gentjan Likaj në SPAK! Hetimet fokusohen te tenderat e “Communication Progress”
Prokuroria e Posaçme ka avancuar hetimet për dosjen e AKSHI-t, ndërsa në SPAK u paraqit biznesmeni Gentjan Likaj. Hetimet po fokusohen te tenderat e përfituar nga kompania e tij dhe lidhjet me personat e shpallur në kërkim.
Prokuroria e Posaçme ka avancuar hetimet për dosjen e AKSHI-t, ndërsa këtë të mërkurë në ambientet e SPAK u paraqit biznesmeni Gentjan Likaj, i cili rezulton përfitues i disa tenderave në këtë institucion.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se Likaj është paraqitur së bashku me avokatin e tij, pasi rezulton se ndaj tij ka nisur zyrtarisht një procedim penal nga Prokuroria e Posaçme.
Hetimet e drejtuara nga prokurori Bledar Maksuti janë fokusuar te kompania “Communication Progress”, e lidhur me biznesmenin, e cila sipas hetimeve ka përfituar tendera nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.
Sipas burimeve të hapura dhe të dhënave hetimore, Gentjan Likaj dyshohet se ka lidhje të afërta me biznesmenin Ermal Beqiri, i shpallur në kërkim në kuadër të kësaj dosjeje. Hetuesit dyshojnë se Beqiri, së bashku me Ergys Agasin, kanë pasur rol kyç në skemën e dyshuar korruptive që po hetohet nga SPAK.

Një ditë më parë, në Prokurorinë e Posaçme u paraqit edhe ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim për paraqitje”. Masa ndaj saj ishte zbutur me vendim të Gjykatës së Lartë, pasi më herët Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte caktuar “arrest në shtëpi”.
Burimet bëjnë me dije se SPAK ka nisur gjithashtu procedurat për dërgimin e letërporosive jashtë vendit, me synim sigurimin e provave shtesë për procedimin penal në fjalë dhe dokumentimin e plotë të skemës së dyshuar.
Hetimet për dosjen e AKSHI-t janë zgjeruar në disa drejtime dhe lidhen me dyshime për korrupsion, shpërdorim detyre dhe favorizim në tendera publikë, ndërsa Prokuroria e Posaçme vijon marrjen në pyetje të personave të përfshirë dhe analizimin e dokumentacionit financiar.

