Balliu: Pastrimi i parave, afera e AKSHI-t dhe “Smart City” kërcënojnë sigurinë kombëtare

Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Balliu, deklaroi se prej gati dy muajsh ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme interpelanca parlamentare me kryeministrin Edi Rama për çështje që, sipas tij, prekin drejtpërdrejt sigurinë kombëtare, ekonominë e vendit dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë, por se kreu i qeverisë ka zgjedhur t’i shmanget përballjes parlamentare dhe transparencës publike.

Sipas Balliut, një nga çështjet më alarmante lidhet me pastrimin e parave të drogës dhe korrupsionit në sektorin e ndërtimit, fenomen që, sipas deklaratës, tashmë konfirmohet edhe në raportet ndërkombëtare të Departamentit Amerikan të Shtetit, antimafias italiane dhe institucioneve të Bashkimit Europian.

“Në Shqipëri po deformohet rëndë tregu imobiliar nga flukse masive kapitali me origjinë kriminale, duke prodhuar rritje artificiale të çmimeve dhe fenomenin dramatik të ‘brezit pa shtëpi’. Në këtë sektor nuk pastrohen vetëm paratë e karteleve të drogës, por edhe produkti financiar i korrupsionit shtetëror”, u shpreh Balliu.

Më tej, Balliu ngriti akuza të forta edhe për aferën e AKSHI-t, institucion që ndodhet nën varësinë direkte të kryeministrit. Sipas tij, ekzistojnë dyshime serioze se qindra miliona euro të taksave të qytetarëve janë kanalizuar përmes një skeme të strukturuar abuzimi dhe grabitjeje institucionale.

Ai deklaroi se emra si Nergys Agasi, Mirlinda Karçanaj dhe Ermal Beqiri janë bërë simbol i një sistemi ku ndërthuren pushteti politik dhe interesat kriminale në dëm të interesit publik.

Në deklaratën e tij, Balliu solli në vëmendje edhe rastin e biznesmenit që, sipas opozitës, u mor peng dhe iu nënshtrua torturave çnjerëzore vetëm pse kishte ankimuar procedura prokurimi në Komisionin e Prokurimit Publik.

“Pas këtij akti mafioz ai u detyrua të tërhiqej nga ankimimet, ndërsa kryeministri, në vend që të distancohej, zgjodhi të dalë publikisht në mbrojtje të drejtuesve të këtij institucioni dhe të justifikojë pasuritë e tyre”, deklaroi Balliu.

Një tjetër çështje për të cilën është kërkuar interpelancë, sipas Balliut, është projekti “Smart City”, që ai e cilësoi si një projekt survejimi masiv me kosto të fryrë në mënyrë të pajustifikuar.

Sipas deklaratës, projekti ka kaluar brenda pak muajsh nga 60 në 118 milionë euro, ndërsa shqetësimi më i madh lidhet me faktin se kompania partnere e qeverisë shqiptare rezulton e lidhur me entitete kineze të survejimit dhe inteligjencës, për të cilat edhe komisione të Kongresit Amerikan kanë ngritur shqetësime serioze.

“Kjo çështje tejkalon dimensionin e korrupsionit financiar dhe prek drejtpërdrejt arkitekturën e sigurisë kombëtare dhe integritetin strategjik të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s”, theksoi Balliu.

Në përfundim, Balliu u shpreh se refuzimi sistematik i kryeministrit për t’u përballur me Parlamentin për këto çështje madhore përbën një përpjekje për të zhbërë vetë konceptin e llogaridhënies demokratike.

“Sot qytetarët shqiptarë duhet ta kenë të qartë se ekziston një palë që kërkon transparencë, hetim dhe përgjegjësi për mënyrën se si administrohen paratë, siguria dhe e ardhmja e tyre, dhe një palë tjetër që zgjedh heshtjen, fshehjen dhe mbrojtjen e interesave të errëta. Vetë refuzimi i kryeministrit për t’u përballur me këto çështje madhore përbën treguesin më domethënës të përgjegjësisë së tij politike në skemat e pastrimit të parave, aferën e AKSHI-t dhe partneritetet e dyshimta me kompani të lidhura me aparatin kinez të survejimit”, përfundoi Balliu.