Mashtrimet me Call Center-at, Apeli lë në burg Xhoel Mekollin dhe 4 të tjerët

Gjykata e Apelit Tiranë, ka lënë të paprekura masat e sigurimit “arrest në burg” dhe “detyrim paraqitje”, për personat e proceduar dhe arrestuar lidhur me mashtrimin e bursave online të Call-Centerave.

Dosja penale me Nr.3377 që flet për një prej grupeve të shumta të mashtrimit me Call-Centera në Tiranë, kishte mbërritur në dyert e Gjykatës së Apelit Tiranë, ku 6 personat e arrestuar 5 javë më parë, kërkuan zbutjen e masës së sigurisë në Apel, duke synuar daljen nga qelia.

Por gjyqtarja e çështjes Valdete Hoxha, ka refuzuar kërkesat e tyre, duke miratuar vendimin e gjykatës së shkallës parë, që caktonte masën e “Arrestit në burg” për Eduart Dalla, Mateo Hoxha, Tedi Agastra, Ledio Toçi, Xhoel Mekolli.

E paprekur ka mbetur dhe masa e sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe “Ndalim dalje jashtë shtetit”, për financieren e një prej subjekteve private, Aida Vokli.

Ndërsa në kërkim vijojnë të jenë Aida Vokli dhe Ledjon Cenaj, ndaj të cilëve është vendosur masa e “Arrestit në burg”. Personat e arrestuar në bashkëpunim dhe me individë të tjerë përmes platformave online, kanë kryer mashtrimin e qytetarëve Austriakë dhe Gjermanë.

Dëmi financiar është llogaritur diku tek 30 milion euro. Elton Qyno/ Syri.net