Tentuan të vr*snin dy persona, arrestohen shqiptari dhe italiani në Foggia

Karabinierët në Foggia kanë arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në të shtënat me armë të ndodhura më 10 maj në periferi të qytetit.

Sipas autoriteteve italiane, në pranga ranë një 37-vjeçar shqiptar i identifikuar si Erjon Rameta dhe një italian nga Foggia, po ashtu 37 vjeç.

Të dy akuzohen për tentativë vrasjeje dhe mbajtje të armëve pa leje.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 10 majit, pranë parkingut të Penny Market në Via San Severo, ku një patrullë karabinierësh ndërhyri pas raportimeve se një shtetas i huaj po kërcënohej me vdekje nga një person i njohur.

Sapo mbërritën në zonë, efektivët dëgjuan të shtëna me armë nga parku në rrugën Ugo Iarussi dhe panë dhjetëra persona, mes tyre gra dhe fëmijë, që largoheshin me panik për t’i shpëtuar rrezikut.

Karabinierët identifikuan dhe arrestuan menjëherë dy të dyshuarit, të cilët rezultojnë me precedentë të shumtë penalë. Shtetasi shqiptar u kap rreth 40 metra larg vendit të ngjarjes, ndërsa italiani u arrestua pak më vonë falë edhe informacioneve të marra nga kalimtarët.

Gjatë verifikimeve, autoritetet konstatuan se një burrë dhe një grua kishin mbetur të plagosur nga të shtënat, përkatësisht në këmbën e djathtë dhe të majtë. Të plagosurit morën trajtim mjekësor në spitalin lokal.

Nga hetimet paraprake rezulton se dy të arrestuarit kishin hyrë të armatosur në parking dhe, pas një konflikti ku u përfshinë edhe persona të tjerë, kanë qëlluar disa herë me armë, duke plagosur dy qytetarë.

Gjatë kontrollit, karabinierët sekuestruan dy pistoleta me numra serialë të fshirë, të cilat dyshohet se janë përdorur në ngjarje.

Më 14 maj, Gjykata e Hetimeve Paraprake konfirmoi arrestimet dhe vendosi masën e paraburgimit për të dyshuarit, ndërsa Prokuroria vijon hetimet për të zbardhur motivet e sulmit të armatosur.