Zjarr në tregun e fruta-perimeve në Lushnjë, digjet një pjesë e çatisë dhe mallrat

Një zjarr ka përfshirë tregun e fruta-perimeve në qytetin e Lushnjës gjatë orëve të para të mëngjesit.

Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka rënë rreth orës 03:30 pas mesnate.

Si pasojë e flakëve është djegur pothuajse gjysma e pjesës së çatisë së tregut, si edhe raftet bashkë me mallrat që ndodheshin aty.

Dyshimet e para janë për zjarr aksidental e shkaktuar nga ndriçimi i jashtëm elektrik . Një shkëndije ka ndezur materialet e plastikës e më pas flaket janë përhapur nga kartonat e materialet e tjera lehtësisht të ndezshme.

Sipas tregtarëve dëmet janë të mëdha për xhepat e tyre.

Rreth 50 tregtarë paguajnë 3500 lekë në muaj për të shitur fruta perime në këtë treg. Ata nuk e kanë të siguruar produktin pavaresisht se kërkojne dëmshhperblim.

Sipas kryetares së bashkisë Eriselda Sefa pasi u takua me tregtaret, 10 prej tyre janë dëmtuar më shumë nga zjarri dhe do të shikohet mundësia për dëmshperblim nga këshilli bashkiak.

Derisa të pastrohet vendi tregtarët do të shesin jashtë tij në hapësirat boshe në trotuar.