EMRAT/ Operacion kundër lojërave të fatit dhe shitjes së armëve, 7 të arrestuar në Tiranë
Gjatë 24 orëve të fundit policia ka zhvilluar dy operacione të ndara, të koduara “Fair Play” dhe “Next”, në kuadër të goditjes së veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje dhe organizimit të lojërave të fatit.
Policia ka arrestuar në flagrancë 7 shtetas dhe ka sekuestruar 2 armë zjarri, 6 celularë si dhe rreth 900 000 lekë të dyshuara si përfitim nga aktiviteti i paligjshëm i lojërave të fatit.
Konkretisht, në kuadër të operacionit “Fair Play”, u arrestuan 6 shtetas, pasi në një lokal në Vorë u konstatuan persona që organizonin lojëra fati me celularë. Gjatë kontrollit u sekuestruan 6 telefona të përdorur për këtë veprimtari dhe shuma prej 900 000 lekësh.
Ndërkohë, në operacionin “Next”, u arrestua një 25-vjeçar në rrugën “Myslym Keta”, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij u gjetën 2 armë zjarri automatike me municion, të dyshuara për qëllime shitjeje.
Të arrestuarit janë: Lavdim Bregu, Brahim Çura, Alken Kokiçi, Feim Ismaili, Indrit Loka, Albert Dedej dhe Klodian Mustafa.
“Si rezultat i punës intensive hetimore dhe kontrolleve në subjekte të ndryshme, me qëllim evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, strukturat e DVP Tiranë finalizuan gjatë 24 orëve të fundit, 2 operacione, gjatë të cilëve u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga 7 shtetas.
-në kuadër të operacionit “Fair Play” Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike arrestuan shtetasit L. B., 61 vjeç, B. Ç., 66 vjeç, A. K., 22 vjeç, F. I., 60 vjeç, I. L., 38 vjeç dhe A. D., 50 vjeç, pasi në lokalin e shtetasit L. B., në Vorë, u kapën 5 shtetasit e tjerë, duke organizuar lojëra fati, me celularë.
Gjatë kontrollit në lokal u gjetën 6 celularë që përdoreshin për lojëra fati dhe 900 000 lekë të dyshuar të përfituara nga kjo veprimtari.
-në kuadër të operacionit “Next” Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin K. M., 25 vjeç, pasi në rrugën “Myslym Keta”, gjatë kontrollit në automjetin që ai drejtonte, u gjetën 2 armë zjarri automatike me municion, të cilat dyshohet se ai i posedonte me qëllim shitjen.”- njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

