Skandali me Ujësjellësin në Tiranë, qytetari pret 20 vjet që t’i hiqet debia

Problematika e radhës e publikuar në emisionin “Stop”, këtë të hënë, më 18 maj, lidhet me rastin e transmetuar në shtator të vitit 2025 mbi denoncimin e qytetarit Fredi Shaholli.

Ai kishte lëshuar një objekt me qira nga viti 2004 deri në 2008 për qytetarin Adnant Balla, duke kaluar në emër të tij edhe kontratën e ujit dhe energjisë elektrike.

“Objekti ka qenë furrë buke. Personi në fjalë punoi disa vite dhe iku për arsye se nuk pagoi korentin dhe ujin, ndërkohë që kontratat kanë qenë në emër të tij, se ai i ndryshoi. Ky person iku dhe më la një debi të madhe”, pohoi në të kohë denoncuesi.

Pas largimit të këtij të fundit, objekti ka mbetur me debi të konsiderueshme në ujësjellës dhe OSHEE, përkatësisht në vlerat 25 milionë lekë në UKT e 1.6 milionë lekë në OSHEE.

Në vitin 2014, gjykata e ka detyruar qiramarrësin të paguajë faturat, por deri në vitin 2024, ujësjellësi refuzoi të ndryshojë kontratën, pa pagesën e detyrimit të papaguar. Përmbarimi nuk ka mundur të mbledhë detyrimet e qiramarrësit dhe qytetari i kërkoi ujësjellësit një zgjidhje.

Sot, drejtori i UKT-së, Flauers Shoshi deklaron, se janë bërë një sërë gabimesh nga Ujësjellësi, duke nisur, që nga hapja e kontratës në emër të qiramarrësit e deri te faturimi i detyrimeve.

Sipas tij, debia do t’i faturohet qiramarrësit, ndërsa qytetari Fredi Shaholli do të lirohet nga detyrimet, që nuk i përkasin dhe kontrata e ujit do të kalojë sërish në emrin e tij.

“Ndjekja e debisë do të vijojë tek ish qiramarrësi dhe z. Shaholli shumë shpejt, brenda kësaj jave besoj do të pajiset me librezën e re, me matësin e ri dhe do të vijojë jetën normalisht duke qenë një tatimpagues i rregullt i këtij vendi”, deklaroi Shoshi.

Kjo do të thotë, se debia prej 25 milionë lekësh të vjetra do të hiqet. /Emisioni STOP