Gonzato: Bashkëpunimi me Prokurorinë e Përgjithshme, i rëndësishëm për avancimin e prioriteteve të anëtarësimit në BE
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato u takua sot me Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela, për të diskutuar rëndësinë e bashkëpunimit të fortë ndërinstitucional në ofrimin e drejtësisë për qytetarët dhe në luftën kundër krimit.
Gjatë takimit u rikonfirmua gjithashtu mbështetja për sistemin e prokurorisë në të gjitha nivelet, përfshirë asistencën për Sistemin e Menaxhimit të Çështjeve, me mirëkuptimin e përbashkët se drejtësia dhe lufta kundër krimit fillojnë nga një sistem i fortë dhe funksional.
Në një reagim në rrjetet sociale, Gonzato nënvizoi se, bashkëpunimi me Prokurorinë e Përgjithshme, si edhe me të gjitha institucionet e tjera të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, mbetet i rëndësishëm për avancimin e prioriteteve të anëtarësimit në BE.
Bashkëpunimi i ngushtë me Këshillin e Lartë të Prokurorisë mbetet thelbësor për të garantuar llogaridhënie dhe standarde të larta etike, theksoi Gonzato.
