“Udhërrëfyesi estonez” për Shqipërinë/ Rama: Jemi drejt një “kërcimi të dytë” digjital me model Estoninë
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Konferencën Lennart Meri 2026 në Estoni, ku foli për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Estonisë dhe vizionin për transformimin digjital të vendit deri në vitin 2030.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se Shqipëria po synon të ndjekë modelin estonez në zhvillimin e shërbimeve digjitale dhe inovacionit, duke e cilësuar Estoninë si një shembull të suksesshëm në këtë fushë.
Ai përmendi se vendi tashmë ka pjesën më të madhe të shërbimeve publike online dhe synon të shkojë më tej me përdorimin e inteligjencës artificiale në administratë.
Rama vuri theksin edhe te arsimi, duke thënë se përgatitja e brezave të rinj është çelësi i këtij transformimi dhe se Shqipëria do të marrë përvoja nga sistemi estonez, veçanërisht në teknologji dhe edukim.
Ai foli gjithashtu për marrëdhëniet mes dy vendeve, duke i cilësuar Shqipërinë dhe Estoninë si partnerë të afërt jo vetëm në kuadër të NATO-s, por edhe në qëndrimet për mbrojtjen e demokracisë dhe kundërshtimin e ndërhyrjeve të jashtme.
Sipas tij, të dy vendet ndajnë një histori sfidash, por sot synojnë të ecin përpara duke u fokusuar te inovacioni dhe zhvillimi i teknologjisë si bazë për të ardhmen.

