Taskforcë për Samitin e NATO-s në Tiranë! Nufi: Kontrata për prodhimin e dronëve me izraelitet vijon! Kemi nivel të lartë përgatitjeje ndaj sulmeve kibernetike. Dy mjete lundruese për FA
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi se sot është ngritur një taskforcë për organizimin e Samitit të NATO-s, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Tiranë.
Në një konferencë për mediet, Nufi në interes të pyetjes së një gazetareje për disa detaje nga organizimi i Samitit të NATO-s në Tiranë, nënvizoi se po vijojnë përgatitjet institucionale dhe koordinimi mes strukturave përkatëse.
“Kemi ngritur një taskforcë për zhvillimin e Samitit të NATO-s. Nuk e kemi ende të përcaktuar vendndodhjen e samitit, por NATO merr masa të jashtëzakonshme sigurie për organizimin e këtyre ngjarjeve. Shqipëria ka treguar sukses në organizimin e samiteve në Tiranë, gjë që na bën krenarë për angazhimin dhe kapacitetet tona”, deklaroi Nufi.
Ai theksoi se Shqipëria mbetet një partner dhe aleat i besueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një kontribuese aktive në kuadër të Aleancës.
“Shqipëria mbetet aleat i besueshëm i SHBA-së. Shqipëria e dënon regjimin në Teheran që është vrastar për popullin e vet dhe ne kemi përballuar sulme kibernetike të sponsorizuara nga Irani”, u shpreh ministri.
Ai shtoi se vendi ynë ka përputhje të plotë politike dhe strategjike me partnerët amerikanë në çështjet ndërkombëtare dhe mbetet i angazhuar në mënyrë të palëkundur ndaj detyrimeve të Aleancës.
Kontrata për prodhimin e dronëve me kompaninë izraelite vijon

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi deklaroi sot se Shqipëria ka në fuqi një kontratë për prodhimin e dronëve me një kompani izraelite dhe se marrëveshja vijon normalisht.
Në një konferencë për mediet, Nufi u pyet lidhur me marrëveshjen me kompaninë “Elbit” dhe raportimet për hetime apo pezullime të mundshme nga NATO, duke theksuar se nuk ka asnjë njoftim zyrtar për ndërprerje të saj.
“Kompani ‘Elbit’ është kontraktuar në bazë të marrëveshjes Shqipëri–Izrael, pasi Izraeli ka teknologji të avancuar në prodhimin e dronëve dhe të testuar. Kemi një marrëveshje për prodhim dronësh dhe kjo kontratë vazhdon. Nuk kemi asnjë shkresë për pezullim në Shqipëri nga NATO. Nuk kemi asnjë arsye të jemi në shkelje të kontratës për sa kohë ajo zbatohet nga të dyja palët”, deklaroi Nufi.
Ai shtoi se Shqipëria respekton rregullat ndërkombëtare për kontrollin e armëve dhe vepron si vend anëtar i NATO-s në përputhje me standardet e Aleancës, për eksportin e armëve.
Në të njëjtën konferencë, drejtori i kompanisë “KAYO”, Ardi Veliu deklaroi se procesi i prodhimit të dronëve “Made in Albania” vijon, pavarësisht disa vonesave të shkaktuara nga situata në Lindjen e Mesme dhe zinxhiri i furnizimit.
“Gjithçka po ecën shumë mirë, përjashtuar vonesat që lidhen me konfliktin në Lindjen e Mesme, por deri në verë do të kemi të përfunduar kompleksin e prodhimit”, tha Veliu.
Dy mjete lundruese për FA

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi bëri të ditur sot, gjatë një konference me gazetarët, se marrëveshja me kompaninë italiane “Fincantieri” për prodhimin e mjeteve lundruese ushtarake ndodhet në fazë zbatimi dhe se pritet të sjellë një ndikim të rëndësishëm në modernizimin e kapaciteteve detare të Forcave të Armatosura dhe në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në Shqipëri.
Sipas tij, marrëveshja parashikon prodhimin e mjeteve lundruese për Forcat e Armatosura shqiptare, përfshirë dy njësi të pajisura me sisteme të avancuara mbrojtjeje, të cilat nuk do të jenë thjesht anije patrulluese, por platforma të afta për të përmbushur misione të ndryshme operacionale.
“Ne kemi një marrëveshje me ta për prodhimin e mjeteve lundruese. Dy nga këto janë për Forcat e Armatosura, të pajisura me sisteme më të fundit të mbrojtjes. Nuk do të jenë thjesht anije patrulluese, por sisteme të avancuara të gatshme për çdo mision që do t’i kërkohet Shqipërisë”, u shpreh Nufi.
Ministri theksoi se bashkëpunimi mes shoqërisë shqiptare “KAYO” dhe “Fincantieri” përbën një projekt me karakter të gjerë industrial, ku mbi 90% e klientëve të synuar nuk janë nga Shqipëria apo Italia, por nga tregje të tjera ndërkombëtare.
Sipas tij, kjo e kthen projektin jo vetëm në një investim për kapacitetet ushtarake, por edhe në një nismë të rëndësishme ekonomike dhe industriale për vendin.
“Kjo është një arritje shumë e madhe për ne si shtet dhe si Ministri e Mbrojtjes, që të kemi një marrëveshje me një kompani lidere në Evropë për prodhimin e anijeve. Plani i biznesit është i konsiderueshëm dhe garantoj për përfitueshmërinë financiare të projektit”, tha ai.
Me nënshkrimin e marrëveshjes, sipas ministrit, është krijuar edhe struktura e përbashkët mes “KAYO”-s dhe “Fincantieri”-t, ndërsa hapat e ardhshëm përfshijnë regjistrimin ligjor, zhvillimin e kapaciteteve prodhuese dhe punësimin e stafit.
“Pas nënshkrimit të marrëveshjes ka ardhur në jetë edhe krijimi i shoqërisë së përbashkët mes “Fincantieri” dhe “KAYO”. Hapat e tjerë janë ligjorë, regjistrimi në QKB, punësimi i njerëzve. Në 24 muaj do të kemi produktet e para nga ky bashkim operatorësh”, deklaroi Nufi.
Gjithashtu, Ardi Veliu, kreu i kompanisë “KAYO” tha se marrëveshja për bashkëpunimin me kompaninë italiane “Fincantieri” është rezultat i një procesi negociator gjashtëmujor.
Sipas tij, pjesë thelbësore e planit të biznesit është edhe rivitalizimi i kantierit ekzistues në Shqipëri, një proces që pritet të zgjasë në kohë, por që do të rrisë ndjeshëm kapacitetet prodhuese të vendit.
“Konkretizimi i marrëveshjes ishte falë punës gjashtëmujore negociatore me “Fincanteri”-n dhe pjesë e planit të biznesit është edhe rivitalizimi i kantierit aktual. Kjo do të marrë kohë, por do të sjellë një kapacitet të shtuar për vendin tonë”, u shpreh Veliu.
Sipas Veliut, në planin e biznesit parashikohet një volum pune prej rreth 1 miliard euro gjatë viteve të ardhshme, duke e konsideruar projektin si një nga investimet më të rëndësishme në sektorin e industrisë së mbrojtjes dhe ndërtimit detar në vend.
Shqipëria me nivel të lartë përgatitjeje ndaj sulmeve kibernetike

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi deklaroi sot se “sa i përket sulmeve kibernetike Shqipëria ka një përgatitje të një niveli shumë të lartë”.
Në konferencën e sotme për mediet, i pyetur lidhur me bërjen pjesë të Shqipërisë në qendrën e ekselencës së NATO-s për mbrojtjen kibernetike dhe se sa gati është vendi ynë për të përballuar sulme të tjera kibernetike, Nufi tha se “bërja pjesë e Shqipërisë në qendrën e ekspelencës së NATO-s në Estoni është një tjetër hap në përbashkimin e të gjitha strategjive dhe strukturave tonë në përballimin e sulmeve kibernetike në përputhje me mbrojtjen e përbashkët që kemi në kuadër të NATO-s”, tha Nufi.
“Republika e Shqipërisë që nga viti 2022, por edhe më herët, ka ndërmarrë hapa të mëdhenj për sa i përket qëndrueshmërisë së sistemeve të shërbimit dhe është fakt i njohur publikisht që Shqipëria ka mbi 95% të të gjitha shërbimeve online dhe qytetarët, duke aplikuar online, marrin këto shërbime”, theksoi Nufi.
Ministri Nufi vuri në dukje se “ashtu siç ky është një zhvillim shumë i madh teknologjik, po aq ka edhe rrezik kur vjen puna tek sulmet kibernetike, pasi shumica e këtyre shërbimeve ofrohen online dhe çdo cenueshmëri në këto shërbime sjell pasoja të rënda, siç ishin ato në vitin 2022, ku për hir të së vërtetës është bërë një punë e jashtëzakonshme për të rikuperuar dëmet e shkaktuara dhe për të rivendosur menjëherë në funksion përsëri sistemet e mbrojtjes kibernetike”.
Nufi vuri në dukje se “Shqipëria që nga ajo kohë ka investuar në mënyrë të jashtëzakonshme për sa i përket mbrojtjes kibernetike, duke marrë rastin e bashkëpunimit që kemi pasur me SHBA, si pranë AKSHI-t, ashtu edhe pranë Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike, por në mënyrë të padiskutueshme edhe pranë Komandës së Mbrojtjes Kibernetike që ne kemi këtu në Ministrinë e Mbrojtjes”.
“Shqipëria ka një pozicionim shumë të mirë për sa i përket përgatitjes për përballimin e rreziqeve që vijnë nga sulmet kibernetike. Në dijeninë time jemi të gjashtët në renditjen botërore për sa i përket përgatitjes së strukturave dhe di të them me përgjithësi që puna e bërë nga djemtë dhe vajzat që ne kemi pranë Agjencisë Kombëtare të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kibernetike dhe, specifikisht tek Komanda e Mbrojtjes Kibernetike në Ministrinë e Mbrojtjes, është e lavdërueshme”, nënvizoi Nufi.
Ai shtoi se tek sulmet e fundit, si tek Parlamenti dhe Posta Shqiptare, me ndihmën e organeve civile të AKSK dhe me ndihmën e strukturave tona të Komandës Kibernetike, është bërë e mundur t’u bëhet ballë këtyre sulmeve në këto dy institucione dhe të rikthejmë në funksion sistemet dhe të gjitha pjesët elektronike.
Duke folur për bashkëpunimin me SHBA, Nufi tha se “bashkëpunimi i përditshëm që kemi me SHBA është shumë i lartë, strukturat tona përballojnë çfarëdolloj sulmi kibernetik në masën që ato po ndodhin sot”.
“Duhet të kemi parasysh që Shqipëria është target i sulmeve kibernetike çdo ditë dhe kjo është e theksuar nga faktorë të lidhur me regjimin e Iranit apo regjime të tjera që janë keqdashëse ndaj Shqipërisë dhe aleancës. Qëndrimi i institucioneve tona është shumë i mirë. A jemi imunë ndaj çdo sulmi? Nuk besoj, por kjo nuk do të thotë që masat nuk merren dhe niveli i përgatitjes së strukturave tona lë vend për të pasur panik ose shqetësim”, tha Nufi.
Operacioni në Gaza, kemi dërguar një skuadër vlerësimi për situatën

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi deklaroi se Shqipëria po ndjek me vëmendje situatën në Gaza, ndërsa çdo angazhim i mundshëm i Forcave të Armatosura shqiptare do të realizohet në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë dhe autoritetet ushtarake izraelite.
I pyetur mbi mundësinë e dislokimit të trupave shqiptare në Gaza, pas angazhimit të Kosovës në kuadër të misioneve paqeruajtëse, Nufi tha se Shqipëria ka ndërmarrë të gjitha masat paraprake për vlerësimin e situatës në terren.
“Sa i përket angazhimit tonë në Bordin e Paqes dhe mundësisë për të dërguar trupa në Gaza, Republika e Shqipërisë ka ndërmarrë masa lidhur me situatën që po zhvillohet atje. Rripi i Gazës është nën kontrollin e forcave ushtarake izraelite dhe çdo lloj dislokimi trupash do të bëhet në koordinim me ushtrinë izraelite”, u shpreh ai.
Sipas ministrit, një skuadër shqiptare është dërguar më herët për të parë nga afër situatën dhe kushtet e sigurisë në terren.
“Kemi dërguar një skuadër që ka vlerësuar vendndodhjen dhe situatën atje. Kemi një propozim nga Shtabi i Përgjithshëm lidhur me mënyrën e angazhimit tonë, i cili do të jetë i ndarë në nivele dhe faza”, tha Nufi.
Ai nënvizoi se Shqipëria ka një eksperiencë të konsoliduar në operacionet ndërkombëtare, duke kujtuar angazhimet e Forcave të Armatosura shqiptare në misione të NATO-s dhe aleatëve.
“Shqipëria ka një eksperiencë shumë të madhe në operacionet ndërkombëtare. Djemtë dhe vajzat tona kanë shërbyer në konfliktet më të rrezikshme në botë. Ne kemi angazhim në Irak, Afganistan, Letoni dhe Bosnjë. Kemi forca që kanë humbur jetën në Irak dhe kemi dëshmorë edhe në Letoni”, deklaroi ministri.
Nufi theksoi se ushtria shqiptare ka nivel të lartë gatishmërie për çdo mision ndërkombëtar, përfshirë edhe Gazën, por shtoi se situata në terren mbetet komplekse për shkak të konfliktit të vazhdueshëm.
“Operacioni në Gaza paraqet rrezikshmëri të shtuar për shkak të konfliktit. Ne kemi marrë çdo masë dhe kemi çuar një skuadër për të kuptuar si dhe ku mund të vendosemi. Kur të kemi këtë informacion, do të kemi edhe një vendimmarrje konkrete mbi mënyrën e angazhimit tonë në Gaza”, përfundoi ai.
Ndërkohë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji, tha se Shqipëria vijon përgatitjet për përfshirjen në misionin paqeruajtës në Gaza, ndërsa aktualisht po hartohen procedurat dhe dokumentacioni ligjor për dislokimin e mundshëm të trupave shqiptare.
“Sikundër jeni në dijeni, Shqipëria është pjesë e Bordit të Paqes dhe ka marrë angazhim për përfshirjen e trupave atje. Aktualisht nuk ka trupa në rajon. Janë verifikuar të gjithë elementët në të cilët trupat do të veprojnë atje”, u shpreh Kingji.
“Jemi në fazën e hartimit të praktikës dhe dokumenteve ligjore për dërgimin e trupave në mision. Jemi në kontakte të vazhdueshme me aleatin tonë strategjik, SHBA-në”, deklaroi ai.
Kingji bëri të ditur se deri në këtë fazë nuk ka ende trupa të dislokuara, ndërsa kontingjenti i parë pritet të përfshijë personel në strukturat komanduese të forcës ndërkombëtare në terren.




