Hammond: Shqipëria hapa mbresëlënës në transformimin digjital

Zëvendësshefja në detyrë e Misionit pranë ambasadës amerikane, Kathryn Hammond, gjatë një aktiviteti ku u prezantuan zgjidhje amerikane të sigurisë kibernetike, theksoi rëndësinë e sigurisë kibernetike për zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjen kombëtare.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ambasada amerikanë nënvizoi se sipas Hammond siguria kibernetike tashmë është e pandashme nga rritja ekonomike dhe siguria kombëtare.

Ajo theksoi se Shqipëria ka bërë përparime të rëndësishme në transformimin digjital, përfshirë qeverisjen elektronike, modernizimin financiar dhe zhvillimin e infrastrukturës energjetike.

Megjithatë, ajo shtoi se ky progres shoqërohet edhe me përgjegjësi për të mbrojtur sistemet kritike me teknologji të avancuara dhe të besueshme.

“Siguria kibernetike tashmë është e pandashme nga rritja ekonomike dhe siguria kombëtare. Siç e ka bërë të qartë Presidenti Trump, mbrojtja e infrastrukturës sonë digjitale nga kërcënimet e huaja nuk është vetëm politikë e mirë – është thelbësore për sovranitetin dhe sigurinë. Shqipëria ka bërë hapa mbresëlënës në transformimin digjital, nga qeverisja elektronike dhe modernizimi financiar deri te infrastruktura energjetike. Por progresi kërkon përgjegjësi. Këto sisteme duhet të mbrohen me teknologjinë më të besueshme dhe më të zhvilluar në dispozicion”, tha ajo, shkruan ambasada amerikane në rrjetet sociale.