“Lennart Meri”, Rama në Estoni: Evropa përballet me rrezikun që barra e sigurisë të shtrembërojë përparësitë ekonomike

Nga Estonia, ku mori pjesë në konferencën “Lenart Meri”, kryeministri Edi Rama deklaroi se Europa duhet të marrë përgjegjësi për mbrojtjen e saj dhe të mos fokusohet vetëm tek deklaratat e presidentit Donald Trump. Ai theksoi se Europa duhet të mbështesë Ukrainën, por njëkohësisht të ruajë kanalet diplomatike me Vladimir Putin. Deklaratat e tij sollën reagim nga kryeministri estonez, i cili theksoi se siguria e Europës nuk duhet kërkuar nga presidenti rus.

Gjatë vizitës në Estoni, Kryeministri Edi Rama mori pjesë në diskutimet mbi zhvillimet strategjike dhe rolin e Europës përballë sfidave të reja ndërkombëtare në panelin hapës të konferencës “Lennart Meri”.

Sipas kreut të qeverisë, Europa nuk duhet ta drejtojë gishtin e fajit nga presidenti Trump për gjendjen gjeopolitike, por duhet që të realizojë vetë sigurinë e Unionit.

Sink Rama: Nuk e kuptoj vërtetë kur europianët harxhojnë kohë me; “çfarë tha Trumpi”. Unë besoj më shumë miqtë amerikanë kur thonë:  “Merreni presidentin Trump seriozisht, por jo fjalë për fjalë”. Nga njëra anë Putini ndihmoi Europën që të zgjohej dhe të përshpejtonte procesin për ne në përgjithësi dhe nga ana tjetër Trumpi e ndihmoi Europën të kuptonte që duhet të mblidhte veten. Problemi ynë është se si do të bëhet Europa një fuqi që do të përballojë këtë rritje të kapacitetit të saj ushtarak, ndërkohë që në të njëjtën kohë bëhet apo është ai vendi që të gjithë kemi adhuruar kur ishim përtej murit.

Rama theksoi se Europa duhet të flasë me presidentin rus, Vladimir Putin, pavarësisht se nuk është e lehtë.

Sink Rama: Europa duhet të flasë me Vladimir Vladimiroviçin. Jo thjesht të flasë për Trumpin. Dhe të flasësh me Vladimir Vladimirovin nuk është e lehtë, e di. Nuk do të thotë të mos mbështetësh Ukrainën. Do të thotë që ta mbështesësh Ukrainën deri në fund, por edhe të kuptosh që për të nderuar Europën dhe kulturën dhe historinë europiane na duhet ta luajmë ndryshe.

Këtyre deklaratave të kreut të ekzekutivit, i ktheu përgjigje homologu i tij estonez.

Kryeministri i Estonisë, Kristen Michal: Dua të korrigjoj mikun tim Edi. Unë jam dakord që problemi është Putin. Europa ka qenë projekt paqe, pa armë dhe tashmë po bëhet një projekt paqeje me armë dhe kërkon shumë ndryshime. Europa sidoqoftë nuk duhet të kërkojë nga Putini sigurinë europiane. Nuk është kjo mënyra e duhur.

Por kryeministri shqiptar, nuk e la pa replikë mikpritësin e tij.

Rama: Po pse duartrokisni? Kjo është e qartë. Unë nuk e thashë këtë. Jam absolutisht larg dikujt që kërkon të takohet me Vladimir Vladimiroviçin. Por dikush duhet të takohet. Rusia është aty. Nuk është se do të shkojnë në vend tjetër. Pra, ndërkohë që bëjmë gjithë ato sa u thanë me të drejtë, diplomacia është një domosdoshmëri.

Më tej kryeministri Rama bëri thirrje që Europa të rishikojë dhe rivlerësojë kontekstin e ri gjeopolitik dhe të përshtatet me ndryshimet që sipas tij po pëson bota, mes asaj që e quajti si ekuilibër mes sigurisë dhe qëndresës së civilizimit.