Helmimi në Akademinë e Sigurisë, thirret në prokurori drejtori i AKU-së Tiranë
Drejtori i AKU-së Tiranë, Ersid Hasanllari, është thirrur në Prokurorinë e Tiranës në kuadër të hetimeve për helmimin e 52 studentëve të Akademisë së Sigurisë.
Prokurori i çështjes, Bledar Valikaj, pritet të marrë sqarime lidhur me procedurat e ndjekura nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe vonesën në dorëzimin e rezultateve të analizave pranë organit të akuzës.
Sipas rezultateve të publikuara nga AKU një ditë më parë, nga nëntë mostrat e marra në kompaninë e kateringut “SORI-AL”, tetë kanë rezultuar brenda standardeve, ndërsa një kampion me makarona të gatshme, i marrë në kuzhinën e Akademisë së Sigurisë në Sauk, ka rezultuar i kontaminuar me bakteret Escherichia coli dhe stafilokok.
Sipas raportimeve në media, kreu i AKU-së është thirrur të martën në orën 09:00, në prokurori për t’u pyetur se çfarë veprimesh kanë kryer.
