Shkatërrohet rrjeti i narko-trafikut, Vatnikaj: Ja si e kalonin shqiptarët dr*gën nga Suedia në Danimarkë
Një operacion i përbashkët mes Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe autoriteteve daneze ka çuar në shkatërrimin e një grupi kriminal që trafikonte heroinë mes Shqipërisë dhe Danimarkës.
Si rezultat i këtij operacioni, janë ekzekutuar dy masa sigurie në Shqipëri, ndërsa tre persona të tjerë janë vënë nën hetim në Danimarkë.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, hetimet nisën në gusht të vitit 2023 nga autoritetet daneze. Pas identifikimit të përfshirjes së shtetasve shqiptarë, ato kërkuan bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare, duke sjellë një hetim të përbashkët.
Veprimtaria kriminale e grupit shtrihej në periudhën 1 tetor 2023 – 23 janar 2024, gjatë së cilës janë identifikuar të paktën shtatë episode të trafikut të heroinës.
Grupi kriminal akuzohet për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”. Skema e tyre konsistonte në importimin e heroinës në Mbretërinë e Danimarkës duke përdorur Suedinë si vend tranzit. Droga kalonte përmes shtetit kufitar suedez për të arritur në destinacionin final.
Nga hetimet e përbashkëta u bë i mundur identifikimi dhe procedimi në Danimarkë i tre personave, dy prej të cilëve shtetas shqiptarë dhe një i huaj.
Paralelisht, në Shqipëri u identifikuan dy persona të tjerë, për të cilët SPAK lëshoi masa sigurie. Më 14 maj 2024, Policia e Shtetit ekzekutoi masën “arrest në burg” për njërin prej tyre dhe “detyrim paraqitjeje dhe ndalim i daljes jashtë shtetit” për tjetrin.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për të zbuluar anëtarë të tjerë të rrjetit dhe për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë e tyre kriminale. Ndërkohë, nuk është bërë e ditur sasia totale e lëndës narkotike të trafikuar gjatë episodeve të zbuluara.

