Shqipëria drejt BE-së/ Deliu: Vendi në fazën “para finishit", por sfidat e fundit vendimtare
Në një lidhje direkte në Ora News, është diskutuar ecuria e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, në një debat mes pritshmërive politike dhe realitetit të negociatave.
E ftuar në studio ishte ekspertja për çështjet europiane, Nirvana Deliu, e cila dha një panoramë të gjendjes aktuale të procesit, duke e vendosur Shqipërinë në një fazë të avancuar, por ende të papërmbyllur.
Ajo shpjegon se procesi i integrimit është i gjatë dhe i ndarë në faza, duke nisur prej më shumë se dy dekadash.
“Nëse e shohim në kohë, procesi i integrimit ka nisur rreth vitit 2000. Janë mbi dy dekada punë, me hapa përpara dhe vonesa të herëpashershme. Sot jemi në një fazë shumë afër finalizimit, por ende jo në fund të rrugës”, u shpreh ajo.
Sipas saj, Shqipëria ndodhet në atë që mund të quhet “faza para finishit”, ku afërsia me anëtarësimin është më e madhe, por kërkesat janë më të forta.
Deliu thekson se kjo është një periudhë vendimtare, ku kërkohet angazhim i gjerë institucional dhe shoqëror.
“Kjo është një fazë që duket afër, por në të njëjtën kohë kërkon shumë punë. Reformat, energjia dhe bashkëpunimi i të gjithë aktorëve janë vendimtarë për të ecur përpara”, tha ajo.
Ajo shton se Shqipëria ka pasur ritëm të shpejtë në hapjen e kapitujve të negociatave krahasuar me vende të tjera të rajonit, por rruga drejt anëtarësimit të plotë mbetet ende e kushtëzuar nga reforma të thella dhe konsensus i gjerë politik.
Në fund, ekspertja vlerëson se procesi mbetet i hapur dhe i varur nga ritmi i reformave të brendshme dhe bashkëpunimi institucional.

