Financimi i partive në “sitën” e ODIHR/ Meta: Ligj i ri për transparencë gjatë gjithë vitit
Në një lidhje direkte për Ora News, e ftuar ishte ekspertja zgjedhore Gerta Meta, e cila komentoi rekomandimet e fundit të OSBE/ODIHR për financimin e partive politike në Shqipëri dhe draft-ligjin që pritet të diskutohet në Kuvend.
Sipas saj, opinioni i ODIHR nuk është i papritur, pasi vjen pas një kërkese të bërë nga Kuvendi dhe Komisioni i Reformës Zgjedhore, me qëllim marrjen e një vlerësimi ndërkombëtar përpara miratimit të ligjit.
Meta tha se procesi është shoqëruar me konsultime të gjera, jo vetëm me institucione ndërkombëtare, por edhe me organizata vendase dhe aktorë të shoqërisë civile. Ajo përmendi edhe dëgjesat publike të zhvilluara me Komisionin e Reformës Zgjedhore, ku janë dhënë sugjerime për përmirësimin e draftit.
“Raporti i ODIHR-it vjen si një pritshmëri dhe si kërkesë e vetë Kuvendit dhe Komisionit të Reformës Zgjedhore, për të marrë një opinion para miratimit të ligjit. Procesi ka përfshirë edhe aktorë vendas dhe organizata që njohin mirë zgjedhjet në Shqipëri. Është bërë edhe një dëgjesë publike ku janë dhënë rekomandime për përmirësimin e draftit.”-shtoi ajo.
Ajo sqaroi se ligji i ri për financimin e partive nuk lidhet vetëm me periudhat zgjedhore, por synon të rregullojë aktivitetin financiar të partive gjatë gjithë vitit, duke rritur kontrollin dhe transparencën mbi fondet politike.
“Ky është një ligj më vete që nuk kufizohet vetëm te zgjedhjet, por mbulon gjithë aktivitetin financiar të partive gjatë vitit kalendarik. Qëllimi është rritja e transparencës dhe llogaridhënies.”-tha Meta.
Sipas saj, ndryshimet e propozuara synojnë t’i japin më shumë qartësi mënyrës së financimit dhe shpenzimit të partive politike në Shqipëri.

