Mbrojtja ajrore në pritje/ Zvicra shqyrton alternativa pas vonesave të mëtejshme nga SHBA për sistemet Patriot
Zvicra po shqyrton mundësinë e blerjes së sistemeve të reja të mbrojtjes ajrore nga vende të tjera, pasi SHBA ka njoftuar vonesa të mëtejshme në dorëzimin e sistemeve “Patriot”.
Sistemet ishin porositur në vitin 2022 dhe fillimisht pritej të dorëzoheshin në periudhën 2026–2028, por afatet janë shtyrë disa herë për shkak të kërkesës së lartë dhe konflikteve ndërkombëtare.
Sipas autoriteteve zvicerane, lufta në Ukrainë dhe zhvillimet e fundit në Iran kanë ndikuar në ngarkesën e prodhimit, duke sjellë vonesa të reja që mund të zgjasin edhe disa vite të tjera.
Qeveria në Bernë thotë se po vlerëson oferta alternative nga vende të tjera, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Korenë e Jugut, me synimin që sistemet të sigurohen sa më shpejt dhe me kosto të pranueshme.
Sipas planit aktual, çdo opsion i ri mund të sjellë sërish vonesa dhe kosto shtesë, por vendi po kërkon zgjidhje për të shmangur boshllëqet në mbrojtjen ajrore.
Autoritetet zvicerane pritet të marrin një vendim për hapat e ardhshëm në muajt në vijim, ndërsa nuk përjashtohet as anulimi i kontratës ekzistuese me SHBA-në.

