Ko*ainë e cilësisë së mirë dhe me çmim të ulët, si mafia shqiptare po "pushton" Zvicrën
Një rrjet i organizuar i trafikut të drogës, i lidhur me mafien shqiptare, po zgjerohet me shpejtësi në kantonin e Ticinos në Zvicër, duke përdorur të rinj të njohur si “cavallini” për shpërndarjen e kokainës.
Sipas mediave të huaja, këta të rinj mbërrijnë nga Shqipëria dhe qëndrojnë për disa muaj në zonën Shengen, ku operojnë në fshehtësi në këmbim të pagesave mujore modeste, ndërsa fitimet përfundojnë te organizatat kriminale.
Sipas autoriteteve zvicerane, numri i arrestimeve për trafik droge është rritur ndjeshëm gjatë vitit 2025, ndërsa mafia shqiptare ka arritur të dominojë tregun falë kokainës me pastërti të lartë dhe çmimeve të ulëta. Fenomeni tashmë është përhapur në të gjithë Ticino-n, përfshirë edhe zonat ku më parë aktiviteti kriminal ishte pothuajse i padukshëm.
Ekspertët paralajmërojnë se trafikantët shqiptarë po krijojnë lidhje të forta me përdoruesit lokalë të drogës, duke shfrytëzuar izolimin dhe varësinë e tyre për të siguruar strehim dhe mbështetje. Ndërkohë, sipas raportimeve, rritja e konsumit të kokainës dhe crack-ut po sjell pasoja serioze sociale, duke alarmuar autoritetet dhe organizatat e rehabilitimit në Zvicër.
