Deputetë gjermanë të AfD pritet të shkojnë në “Davosin e Putinit”, afrim mes Kremlinit dhe së djathtës gjermane

Rusia ka ftuar disa politikanë të partisë së ekstremit të djathtë gjerman Alternative für Deutschland (AfD) për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut, i njohur edhe si “Davosi i Putinit”.

Sipas raportimeve të Politico, dy deputetë të Bundestagut nga AfD, Markus Frohnmaier dhe Steffen Kotré, pritet të jenë pjesë e forumit që mbahet në qershor.

Ftesat janë dërguar nga një këshilltar i presidentit rus Vladimir Putin.

Në ftesë thuhet se pjesëmarrja në forum mund të ndihmojë në forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe politike mes palëve, ndërsa përmendet edhe prania e mundshme e vetë Putin.

Kjo lëvizje shihet si shenjë e afrimit mes Kremlinit dhe një pjese të së djathtës radikale në Gjermani, në një kohë kur AfD po rritet në disa rajone të vendit.

Ndërkohë, drejtuesja e AfD-së, Alice Weidel, ka pasur më herët përpjekje për të kufizuar udhëtimet e deputetëve drejt Rusisë, për të shmangur kritikat politike brenda Gjermanisë.

Pavarësisht kësaj, disa përfaqësues të partisë mbështesin rifillimin e kontakteve me Moskën, përfshirë edhe bashkëpunimin ekonomik dhe furnizimet me energji.

Pas nisjes së luftës në Ukrainë, shumica e liderëve europianë e kanë bojkotuar këtë forum, ndërsa më herët ai frekuentohej edhe nga figura të larta si ish-kancelarja gjermane Angela Merkel.