Shkatërrohet rrjeti i kultivimit të dr*gës në Spanjë/ Katër të arrestuar përfshirë dy shtetas shqiptarë
Autoritetet në Spanjë kanë goditur një grup kriminal të përbërë edhe nga shtetas shqiptarë, i dyshuar për kultivim dhe trafik droge.
Sipas mediave spanjolle, hetimi ka nisur në muajin shkurt pas dyshimeve për aktivitet të paligjshëm në një fermë. Policia ka mbajtur nën vëzhgim vendin pasi ishte vënë re lëvizje të shpeshta dhe hyrje-dalje të dy personave me makina me qira.
Gjatë kontrollit në fermë janë gjetur 1.008 bimë kanabisi në fazë rritjeje, si dhe pajisje të shumta për kultivim si llamba, sisteme ventilimi dhe ujitjeje. Po ashtu është sekuestruar edhe një sasi prej rreth 30 kilogramësh e një substance anestezike që përdoret për përzierjen e kokainës.
Policia ka gjetur gjithashtu një thikë të madhe dhe një pushkë ajri, ndërsa është zbuluar edhe lidhje e paligjshme me energjinë elektrike për të furnizuar plantacionin.
Në total janë arrestuar katër persona, tre burra dhe një grua, mes tyre shtetas shqiptarë dhe spanjollë. Dy prej tyre janë lënë në burg nga gjykata, ndërsa të tjerët po hetohen në gjendje të lirë.
Autoritetet spanjolle po vijojnë hetimet për të zbuluar nëse grupi ka lidhje me rrjete të tjera të trafikut të drogës në vend.

