Ngjarje e rëndë në Brighton/ Gjenden tre trupa të pajetë në det, policia nis hetimet

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në qytetin bregdetar të Brighton, në jug të Anglisë, ku në det janë gjetur trupat e tre grave.

Policia është njoftuar rreth orës 05:45 nga raportime për persona në ujë pranë zonës Madeira Drive. Pak më vonë, trupat e tyre janë nxjerrë nga deti.

Në vendngjarje është ngritur një operacion i madh kërkim-shpëtimi, ku kanë marrë pjesë policia, rojet bregdetare, ekipet e shpëtimit me varka, ambulancat dhe një helikopter.

Autoritetet kanë izoluar zonën dhe kanë nisur hetimet për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Deri tani nuk dihen identitetet, mosha apo kombësia e tre grave.

Policia britanike thotë se po shqyrton të gjitha mundësitë, pa përjashtuar asnjë pistë, ndërsa kërkon edhe ndihmën e dëshmitarëve që mund të kenë parë diçka në zonë.

Ngjarja ka tërhequr vëmendje të madhe në Britani, pasi zona e Brighton është një nga më të frekuentuarat dhe raste të tilla janë të rralla.

Hetimet po vijojnë dhe pritet që autoritetet të japin më shumë informacion në orët në vijim.