Evropa në 'hije' të marrëveshjes SHBA-Kinë/ Brukseli i shqetësuar për industrinë dhe metalet e rralla
Samiti i mundshëm mes Donald Trump dhe Xi Jinping po shihet me shqetësim në Evropë, jo vetëm për marrëdhëniet SHBA–Kinë, por edhe për ndikimin që mund të ketë mbi Bashkimin Evropian.
Sipas analizave, ekziston frika se një marrëveshje mes Uashingtonit dhe Pekinit për tregtinë, teknologjinë dhe energjinë mund ta lërë BE-në në një pozitë më të dobët, duke mos marrë parasysh interesat e saj.
Një nga pikat më të ndjeshme për Evropën është varësia nga metalet e rralla të tokës, që Kina i kontrollon në masë të madhe dhe që përdoren në industrinë e makinave elektrike, teknologjinë dhe mbrojtjen.
Zyrtarët evropianë druajnë se SHBA mund të sigurojë akses më të madh në këto materiale përmes një marrëveshjeje me Kinën, ndërsa Europa mund të përballet me kufizime dhe mungesa.
Në të njëjtën kohë, industria evropiane po ndjen presion nga konkurrenca kineze, sidomos në sektorin e makinave elektrike, ku çmimet e prodhimeve kineze janë dukshëm më të ulëta se ato evropiane.
Ekspertët thonë se Evropa po përpiqet të krijojë zinxhirë alternativë furnizimi, por procesi është i ngadalshëm dhe varësia nga Kina mbetet e lartë.
Sipas vlerësimeve, çdo përkeqësim i marrëdhënieve SHBA–Kinë ose një marrëveshje dypalëshe mes tyre mund të rrisë më tej presionin mbi ekonominë evropiane dhe industrinë e saj.
Brukseli ka paralajmëruar se do të mbrojë industrinë dhe vendet e punës në Evropë, por situata mbetet e pasigurt për shkak të rolit dominues të dy superfuqive në tregjet globale.

