"Prokurorët, të mbajnë përgjegjësi për shkeljet"/ Metani me Shoqatën e Prokurorëve: Pavarësia në drejtësi lidhet me llogaridhënien
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë, ku është diskutuar puna dhe përgjegjësia e prokurorëve në ushtrimin e detyrës.
Në takim ishte i pranishëm edhe kreu i Shoqatës së Prokurorëve, Gëzim Spahiu, si dhe Zëvendësinspektorja e Lartë e Drejtësisë, Elena Pelushi.
Metani ka folur për rëndësinë e pavarësisë së prokurorëve, por edhe për nevojën që çdo shkelje profesionale apo etike të sjellë përgjegjësi. Sipas tij, pavarësia në drejtësi duhet të shkojë paralel me llogaridhënien dhe integritetin.
Në takim u diskutua edhe besimi i qytetarëve te sistemi i drejtësisë, i cili lidhet me mënyrën se si zhvillohen hetimet dhe me transparencën e institucioneve.
Përfaqësuesit e Shoqatës së Prokurorëve prezantuan edhe objektivat e tyre, që lidhen me trajtimin e çështjeve të statusit dhe funksionit të prokurorëve në vend.
Në fund, palët ranë dakord për vijimin e bashkëpunimit me synim forcimin e sistemit të drejtësisë dhe rritjen e besimit publik.

