Skënder Hita në konferencën në Prishtinë/ Forcimi i bashkëpunimit policor, 'çelësi' për goditjen e krimit ndërkufitar

Në Kosovë është zhvilluar një konferencë rajonale për rezultatet e Task-Forcës së Përbashkët për migracionin, ku morën pjesë përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Mbretëria e Bashkuar.

Në takim ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, i cili u shoqërua nga delegacioni i tij dhe u prit nga Policia e Kosovës.

Gjatë konferencës u fol për bashkëpunimin mes policive të rajonit në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe rrjeteve kriminale që veprojnë ndërkufitar.

Sipas pjesëmarrësve, shkëmbimi i informacionit në kohë reale dhe koordinimi i operacioneve kanë ndihmuar në arritjen e rezultateve konkrete në disa raste.

Në kuadër të kësaj Task-Force janë zhvilluar edhe disa operacione të përbashkëta me emra të koduar “Marewood”, “Esterwick”, “Nomada” dhe “Venton”, të cilat kanë çuar në goditjen e rrjeteve të përfshira në transportimin e emigrantëve të paligjshëm, lëvizjen drejt vendeve të Bashkimit Europian dhe pastrimin e parave.

Autoritetet pjesëmarrëse u angazhuan për forcim të mëtejshëm të bashkëpunimit dhe vijim të operacioneve të përbashkëta në rajon.