SULMI NË BIZNESET E NOIZYT/ Babai i këngëtarit dëshmon në gjyqin ndaj Laert Haxhiut: Nuk e di kush
Këngëtari Noizi nuk u paraqit më në gjykatën e Posacme në procesin ndaj Laert Haxhiut, ku në vijim pritet të jetë edhe reperi tjetër Kleviol Ahmeti me të cilin ka pasur konflikte në të shkuarën. SPAK dyshon se kjo përplasje ishte shkak qe Haxhiu të porosisë një sulm me eksploziv në bizneset e këngëtarit në Durrës
Katër vite pas shpërthimit me tritol në dy biznese në Durrës, në pronësi të këngëtarit Rigers Rajku, I njohur me emrin e artit Noizy, babai i tij, Bashkim Rajku u paraqit në Gjykatën e Posaçme për të dëshmuar në procesin ndaj bandës së Laert Haxhiu.
Ky i fundit dyshohet, sipas komunikimeve në SKY, se ka urdhëruar bashkëpunëtorin e drejtësisë, Artan Tafani, për të vendosur lëndën plasëse pas konflikteve që shoku i Laertit kishte me këngëtarin Noizy.
Por, pavarësisht këtij fakti të njohur, babai i këngëtarit tha se nuk kishte dijeni se kush e kishte vendosur lëndën plasëse, ndërsa tregoi se njeh edhe Kleviol Ahmetin, por nuk tha nëse djali i tij ka pasur konflikt fizik me të.
Bashkim Rajku: “Kemi një aktivitet, dyqan rrobash. Para 4 vitesh ka ndodhur një shpërthim me tritol. Administratore është goca ime, Anisa, dhe ajo ka qenë jashtë shtetit. Kam edhe një djalë që quhet Rigels, është muzikant. Ne nuk dimë asgjë kush mund ta ketë bërë. Kleviol Ahmetin e kemi dëgjuar dhe është artist edhe ai. Merret me rrjete sociale. Ka pasur përplasje me djalin tim. Di që ka pasur xhelozi mes djalit tim dhe Kleviol Ahmetit për punë muzike.”
Në gjykatë u paraqit edhe motra e këngëtarit, Anisa Rajku, por ajo nuk dëshmoi pasi prokurori i çështjes, Behar Dibra, tha se do të hiqte dorë nga marrja e dëshmisë së saj.
Seanca tjetër do të përsërisë thirrjen për këngëtarin Noizy, ndërsa fletëthirrja iu dërgua edhe këngëtarit Kleviol Ahmeti, i cili rreth një vit më parë u deportua nga Dubai.

