Ekspertja australiane në Speciale: Raporti im bazohet në tetë audio-incizime

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë edhe sot ka vazhduar dhënien e dëshmisë ekspertja e linguistikës forenzike, Helen Fraser e cila është dëshmitare e mbrojtjes. Ekspertja nga Australia deklaroi se raporti i saj bazohet në një përqindje të vogël të audiove që i ka dosja gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerët në rastin “kundër administrimit të drejtësisë“.

Ekspertja e linguistikës forenzike edhe sot po vazhdon t’iu përgjigjet pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ndërsa të akuzuarit seancën e sotme po e ndjekin përmes videolidhjes.

Gjatë marrjes në pyetje prokurori i specializuar e pyeti eksperten e linguistikës forenzike, Helen Fraser, nëse mbrojtjes së Hashim Thaçit i kishte dorëzuar ndonjë version paraprak para raportit final, dhe ajo konfirmoi se kjo kishte ndodhur.

Më pas, prokurori, Joshua Hafetz tha se ekspertja Helen Fraser kishte analizuar vetëm tetë audioincizime, më pak se 3% të materialit total. Ai theksoi se kjo do të thotë se ajo nuk ka njohuri për 97% të pjesës tjetër të dosjeve audio, gjë me të cilën Fraser u pajtua.

Dëshmitarja e mbrojtjes më tej deklaroi se pretendimet e raportit të saj janë të bazuara në materialin e vizitave të 3 dhe 6 shtatorit 2023 që janë bërë në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Prokurori, Joshua Hafetz karshi dëshmitares sot adresoi pyetje edhe rreth komenteve që ajo ka bërë në raportin e saj sa i përket transkriptimit të zhurmës së letrave.

Ekspertja e linguistikës forenzike deklaroi se ata tinguj kanë shkuar përtej asaj që është objektivisht e transkriptueshme.

Nëdrsa, në pyetjen e e ZPS-ë, lidhur me atë nëse transkriptuesi i tyre ka qenë objektiv dhe a ka shënuar mirë tingullin e zhurmës së letrës, këtë më pas e konfirmoi vetë ekspertja.

Ekspertja e linguistikës forenzike, Helen Fraser e cila dje ka nis dëshminë e saj në Speciale gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtja e ish-presidentit, Hashim Thaçi deklaroi se kishte përdorur Inteligjencën Artificiale për transkriptim të audiove që u janë ofruar në dispozicion nga mbrojtja e Thaçit.

Në këtë rast gjyqësor, nën akuzën për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë janë ish-presidenti Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klaj dhe Hajredin Kuçi.

Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu ngarkohen.