Zgjedhjet në Kosovë, ish-deputeti demokrat kandidon në krah të Vjosa Osmanit
Ish-deputeti i Partisë Demokratike në Shqipëri, Kreshnik Çollaku, i rikthehet politikës duke kandiduar për deputet në Kosovë në listën e Lidhja Demokratike e Kosovës. Kandidimi i tij konsiderohet një rast i veçantë politik, dhe një nga figurat e para politike nga Shqipëria që garon për një vend në Parlamentin e Kosovës. Kandidatura e tij u prezantua nga Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike në Shqipëri, Kreshnik Çollaku, rikthehet në politikë, por këtë herë në Kosovë. Ai është zyrtarizuar si kandidat për deputet në listën e Lidhja Demokratike e Kosovës për zgjedhjet parlamentare.
Prezantimi i tij u bë nga Vjosa Osmani dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të cilët e cilësuan Çollakun si një figurë me përvojë në diplomaci, politikë dhe çështjet euro-atlantike.
Në mesazhin e saj publik, Osmani theksoi se Çollaku ka kontribuar për vite me radhë në mbështetjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, veçanërisht gjatë shërbimit të tij në Ambasadën e Shqipërisë në Washington.
Ajo vlerësoi gjithashtu rolin e tij si ish-deputet i Partisë Demokratike dhe pjesë aktive e diplomacisë parlamentare shqiptare, ku sipas saj, ka qenë një zë i fuqishëm në mbrojtje të pavarësisë, sovranitetit dhe integrimit euro-atlantik të Kosovës.
Çollaku ka shërbyer edhe si këshilltar i Vjosa Osmanit për politikën e jashtme në Presidencën e Kosovës, ndërsa mban edhe shtetësinë e Republikës së Kosovës.
Në reagimin e saj, Osmani deklaroi se Kuvendi i Kosovës ka nevojë për njerëz me integritet, përvojë dhe vizion politik.
Kandidimi i Kreshnik Çollakut konsiderohet një rast i veçantë politik, pasi ai është një nga figurat e para politike nga Shqipëria që garon për një vend në Parlamentin e Kosovës.
