Avion i linjës Athinë-Mynih detyrohet të ulet emergjent pas alarmit në motor/ Pasagjerët evakuohen në panik
Një avion i linjës Athinë–Mynih është detyruar të kthehet dhe të bëjë ulje emergjente në aeroportin e Athinës pasi është shfaqur një problem teknik në motor gjatë fluturimit.
Fluturimi 1753 u rikthye menjëherë në aeroport sapo ekuipazhi mori sinjalin paralajmërues për defekt.
Avioni, një Airbus A321, u ul pa probleme dhe u aktivizua procedura e sigurisë për evakuimin e pasagjerëve.
Në bord ndodheshin 177 pasagjerë dhe 7 anëtarë të ekuipazhit. Pas uljes, pasagjerët u nxorën përmes daljeve të emergjencës. Gjatë evakuimit, dy persona kanë pësuar lëndime të lehta dhe janë dërguar në spital për kontroll.
Sipas kompanisë ajrore, ekuipazhi ka ndjekur protokollet e sigurisë sapo është marrë sinjali për defekt. Avioni po kontrollohet nga ekspertët teknikë për të përcaktuar shkakun e problemit.
Ngjarja ka shkaktuar momente paniku mes pasagjerëve, por situata është vënë shpejt nën kontroll nga autoritetet e aeroportit.

