Studentët e Policisë u helmuan nga makaronat, “SORI-AL” e Nikolin Jakës gatim mes Stafilokokut dhe E. Coli

Studentët e Akademisë së Policisë janë helmuar nga makaronat. Analizat praprake të kryera nga ISUV tregojnë se makaronat e gatuara nga kompania SORI-AL e Nikolin Jakës dhe Alma Tafanit, kanë pasur prani të baktereve Stafilokok koagulaze dhe Escherichia Coli.

Shkak dyshohet të jenë bërë kushtet jo të mira higjienike ku bëhej gatimi i ushqimit, kjo pasi vetë makaronat e pagatuara që u gjeten aty kanë rezultuar në rregull. Pra kontaminimi ka ndodhur gjatë gatimit.

Skandali tjetër është se studentët që u helmuan, vazhdojnë të ushqehen po nga kompania SORI-AL, i vetmi ndryshim për ta është salla e konsumimit të ushqimit, pasi ambientet e para të Akademisë së Policisë po dezinfektohen nga ISHP.

Për ngjarjen, Policia e Tiranës ka arrestuar teknologen dhe kuzhinierin si dhe ka shpallur në kërkim pronaren e kompanisë për helmimin e studentëve të Akademisë së Sigurisë.

Studentët që u helmuan kanë pasur simptoma të rënda, me të vjella dhe dhimbje të forta barku. Pasi janë paraqitur në spital, kanë marrë mjekim, serume, ata janë kthyer sërish në Akademinë e Sigurisë.

Deri në fund të vitit 2025, kompania Sori-Al rezulton si fituese e 75 tenderave publikë, me vlerë totale 4.2 miliardë lekë.

Por ky nuk është rasti i parë që kompania “SORI-AL” e Nikolin Jakës helmon studentët e Akademisë së Policisë me ushqime të skaduara e të kontaminuara. Ka pasur raste helmimi edhe në çerdhe, kopshte, konvikte, spitale, ushtri e burgje, ku kjo kompani ka marrë dhe vazhdon të marrë miliona euro tenderë.

Për studentët e policisë, rasti i datës 6 maj 2026 është hera e tretë, pas vitit 2015, që kompania “SORI-AL” e Nikolin Jakës i helmon me ushqime, duke u rrezikuar jetën, ndërsa është toleruar nga drejtuesit e Akademisë, me të cilët ka bërë pazare.

Rasti i parë është helmimi i 63 studentëve të policisë, më 18 maj 2015. Ky helmim u tentua të mbahej i fshehtë nëpërmjet çeqeve të biznesmenit Nikolin Jaka, dhënë drejtuesve, por u zbulua kur gjendja e studentëve u rëndua dhe ata u dërguan në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, Tiranë.

Rasti i dytë është helmimi i 30 studentëve të policisë, më 3 mars 2021, kur përsëri drejtuesit e Akademisë së Policisë, në pazar me biznesmenin Nikolin Jaka, tentuan ta mbanin të fshehtë, por gjendja e studentëve u rëndua dhe ata u dërguan në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, Tiranë./Marrë nga "Pamfleti"