“Blejnë dhjetëra apartamente me një firmë”/ Teliti: Miliona euro po pastrohen në ndërtim pa asnjë kontroll

Pastrimi i parave në sektorin e ndërtimit vijon të mbetet një nga shqetësimet më të mëdha për ekonominë shqiptare.

Në studion e emisionit “Ora e Betit”, këshilltari bashkiak i PD-së, Dorian Teliti, foli për mënyrën se si miliona euro jashtë sistemit bankar po futen në tregun e pasurive të paluajtshme pa kontroll real nga institucionet.

Sipas Telitit, individë të ndryshëm po blejnë dhjetëra apartamente, dyqane dhe garazhe përmes transaksioneve të vetme noteriale, ndërsa mungesa e reagimit nga shteti po e favorizon këtë fenomen.

“Paratë që janë jashtë sistemit bankar po futen në tregun e ndërtimit dhe po blihen me dhjetëra apartamente, dyqane e garazhe me një akt të vetëm noterial. Dhe kjo po ndodh pa asnjë pengesë, pa i hyrë gjëmb në këmbë askujt.”-tha ai.

Ai ngriti shqetësimin edhe për profilin e personave që kryejnë transaksione të mëdha financiare në një kohë shumë të shkurtër, ndërsa institucionet sipas tij nuk reagojnë.

“Shohim të rinj 23 apo 25 vjeç që në dy ose tre vite bëjnë transaksione me miliona euro dhe shteti nuk reagon. Për sa kohë ndërtuesi gjen një blerës që e zyrtarizon blerjen në noter, ai do vazhdojë të shesë.”-tha ai.

Teliti shton se problemi kryesor mbetet mungesa e kontrollit dhe rolit rregullator të shtetit në treg.

Sipas tij, institucionet duhet të garantojnë një ekonomi të ndershme, ku biznesi dhe qytetarët të mos dëmtohen nga paraja informale dhe konkurrenca e pandershme.

Ai paralajmëron se pa ndërhyrje konkrete, tregu i ndërtimit do të vazhdojë të përdoret si kanal për formalizimin e parave të dyshimta, duke dëmtuar ekonominë dhe duke e bërë gjithnjë e më të vështirë aksesin e qytetarëve të zakonshëm në strehim.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT" NË ORA NEWS: