Miratohet projektligji: “Burimet Ujore” në varësi të Ministrisë së Mjedisit
Zëvendësministri i Mjedisit, Genti Gazheli prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për burimet ujore”, të ndryshuar”.
Në komisionin ku ishin të pranishëm edhe Enerjeta Tarelli, drejtore e programit dhe harmonizimit të kuadrit rregullator, Evisa Hoxha nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, Evisa Hoxha dhe Irma Themeli nga sektori rregullator përgjegjës, Gazheli renditi disa prej arsyeve se pse kërkohet që Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore (AMBU) të kalojë nga Kryeministri në varësi të Ministrisë së Mjedisit.
Sipas Gazhelit, ky ndryshim vjen si reflektim i gjetjeve të raportit të SIGMA-s për vitin 2025. Ky raport ka vënë në dukje se rreth 26 agjenci raportojnë aktualisht drejtpërdrejt te Kryeministri, duke krijuar një ngarkesë të lartë administrative dhe mospërputhje mes natyrës sektoriale të agjencive dhe mbikëqyrjes së tyre.
Gazheli tha se me këtë ndryshim synohet një rishpërndarje më e balancuar e përgjegjësive, duke ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare të SIGMA-s dhe OECD-së.
“Kalimi i AMBU-së te ministria e linjës do të shmangë centralizimin e tepërt,” u shpreh Gazheli.
Ndryshimi u mirëprit nga deputeti i PD-së, Gent Strazimiri, i cili e cilësoi si një shenjë të mirë fillimin e decentralizimit të agjencive nga Kryeministria.
“Është lajm i mirë që po hiqet dorë nga kjo qasje, por është lajm i keq që u desh detyrimi nga SIGMA që kjo të ndodhte. Edi Rama ka 26 agjenci në dorë, gjithçka nën kontrollin e tij, duke e bërë të pamundur kontrollin real mbi to”, deklaroi Strazimiri, duke theksuar se kalimi te ministrat e linjës lejon një kontroll më kapilar të problemeve.
Ndër të tjera, Gazheli theksoi se ndryshimi ligjor synon që AMBU-ja, e cila funksionon sipas ligjit 29/2024 të përafruar me direktivat e BE-së, të ketë një menaxhim më efikas dhe teknik brenda strukturës së Ministrisë së Mjedisit.
Projektligji u miratua me shumicë votash pro.

