Nga Astiri në qendër, qiratë “fluturojnë”/ Eksperti: Çmimet nuk përputhen me të ardhurat e shqiptarëve

Gjetja e një banese me qira në Tiranë po kthehet në një mision të pamundur për çiftet e reja dhe familjet me të ardhura mesatare.

Çmimet stratosferike shfaqen në një kontrast të thellë me një realitet tjetër: një kryeqytet i mbushur me dhjetëra mijëra apartamente të pabanuara, të cilat qëndrojnë jashtë tregut duke ushqyer një krizë të thellë banimi.

Për të folur më tepër rreth kësaj teme, i ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", ishte agjenti imobilar Armand Shkembi, i cili u shpreh se sot, marrja me qira e një apartamenti 1+1 në zona periferike si Astiri apo Fresku kushton të paktën 400 euro në muaj, një shifër e rëndë për klasën punëtore dhe shtresën e mesme.

Në zonat më pranë qendrës, çmimet arrijnë nivele prej 800 deri në 1000 euro, duke i bërë ato praktikisht të papërballueshme dhe duke e lënë jashtë tregut një pjesë të madhe të popullsisë.

" Vetëm 15,000 prej apartamenteve të Tiranës janë marrë nga qeraja ditore, nga turizmi, ndërkohë që problemi ynë real janë pikërisht këto apartamentet të pabanuara dhe zgjidhja është gjithmonë taksimi. Pra, politika shqiptare nëse ndjek një politikë taksuese proporcionale, sidomos për apartamentet që rrinë bosh, ne nuk kemi arsye të kemi krizë fare.

Qeraja në Tiranë ka filluar të bëhet e papërballueshme. Domethënë dhe në periferi të Tiranës i bie fjala Astir apo Fresk, një apartament 1+1 nuk gjendet poshtë 400 euro në muaj, që është një shifër e rëndë kjo për klasën punëtore dhe për shtresën e mesme. Nëse vjen më afër qendrës së Tiranës, qeratë janë bërë në nivele 800 apo 1000 euro në muaj për apartamente 2+1. Por siç e thashë më parë, nëse politika qendrore ose lokale fillon të taksojë apartamentet bosh, dhe t'i lirojë këto, t'i vijë në treg, ne nuk kemi arsye të kemi këto nivele çmimesh.

Apartamentet bosh në Tiranë mbahen për shumë arsye. Një pjesë e tyre janë nga diaspora, pra nga emigrantët, që i kanë blerë të kenë një pronë në Tiranë. Një pjesë i kanë për parkim lekësh, pra njerëzit që nuk kanë se ku t'i investojnë lekët, fillojnë dhe blejnë apartamente në Tiranë. Një pjesë pastaj janë nga nga korrupsioni në Shqipëri, politik apo i biznesit e kështu me radhë, që zgjedhin t'i qarkullojnë lekët në industrinë e ndërtimit dhe ne kemi një fenomen që quhet blerja e apartamenteve në gropë, pra në çdo kantier në Tiranë të shkosh ti sot, të thonë që janë shitur. Praktikisht nuk janë shitur, por është ky fenomeni i blerjes në gropë për t'u rishitur në fund të ndërtimit, që krijon spekulim dhe fryrje artificiale të çmimeve. Çmimet sot në Tiranë nuk janë realiste, sepse nuk korrespondojnë me të ardhurat e shqiptarit të thjeshtë.

Deri diku është e vërtetë. Çfarë ka ndodhur në Tiranë në 10 vitet e fundit, janë dhënë leje ë, diku te 15 ose 17 milionë metra katrorë ndërtim, që përkthehen në të paktën 100,000 apartamente. Thashë, rreth 15,000 prej këtyre, që janë kryesisht garsoniera dhe apartamente 1+1, janë marrë nga qeraja ditore, Airbnb, Booking.com, po prapë ne kemi një gjendje shumë të madhe të apartamenteve bosh, që me politikat e duhura mund të dalin në treg dhe ta lirojnë këtë këtë situatë të ngarkuara, të ngarkuar me çmime të larta, të papërballueshme për shqiptarin e thjeshtë", u shpreh Shkëmbi.

Ndiqni emisionin e plotë: