“Po largohen punonjësit më të aftë”/ Edvin Prençe: Mungon strategjia dhe mbështetja nga qeveria
Eksperti i biznesit Edvin Prençe , i ftuar në studion e Ora News, foli për vështirësitë që po kalojnë bizneset shqiptare për shkak të mungesës së punonjësve të kualifikuar dhe mungesës së politikave mbështetëse nga institucionet shtetërore.
Sipas tij, largimi i punonjësve me eksperiencë është kthyer në një nga problemet më të mëdha për bizneset, ndërsa mungon një strategji afatgjatë për të mbajtur dhe trajnuar stafin.
“Është faktori kryesor. Ndërthurja ka të bëjë me largimin e punonjësve që kanë pasur aftësi shumë të mira brenda bizneseve. Nga ana tjetër kemi mungesë të një politike në vazhdim nga institucionet përgjegjëse për të bërë të mundur trajnimet dhe për të krijuar qëndrueshmëri për punonjësit e mirëtrajnuar.”-tha eksperti.
Ai shpjegoi se bizneset po përpiqen të gjejnë zgjidhje duke trajnuar vetë stafin brenda kompanive, por kjo sjell kosto shtesë që nuk mbështeten nga shteti.
“Bizneset po orientohen drejt vetë-trajnimit brenda ambienteve të punës, ose dual training, por kjo është një kosto që nuk njihet nga qeveria. Gjithashtu ka munguar mbështetja dhe orientimi që bizneset të arrijnë të bëjnë trajnimet brenda ambienteve të punës.”-shtoi ai.
Sipas ekspertit, pa një mbështetje konkrete dhe politika të qëndrueshme, bizneset do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të mbajnë punonjësit e aftë dhe të krijojnë staf të kualifikuar për tregun shqiptar të punës.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:

