“Apartamente 5000 euro pranë ujërave të zeza”/ Musai: Merr të njëjtin autobus dhe të njëjtin ujë si gjithë Tirana
Arkitektja dhe urbanistja Doriana Musai, e ftuar në emisionin “Ora e Betit”, foli për situatën e tregut imobiliar në Tiranë dhe çmimet e larta të apartamenteve, të cilat sipas saj nuk përputhen me standardet reale të jetesës dhe urbanitetit në qytet.
Musai ngriti shqetësimin për sigurinë e ndërtesave të reja, duke kujtuar rastet kur fasadat e objekteve moderne kanë marrë flakë, pavarësisht kostos së lartë të ndërtimit dhe shitjes së tyre.
“Ne kemi parë për shembull dy vitet e fundit dy objekte shumë të reja, shumë të kushtueshme që ka marrë flakë fasadat. Dhe njësoj sikur do t’i binte flaka një objekti që është 70-vjeçar. Pra me të njëjtën pakujdesi ndaj sigurisë dhe jetës së njeriut.”-tha ajo.
Sipas saj, qytetarët që blejnë apartamente me çmime 4000 apo 5000 euro për metër katror marrin të njëjtat shërbime publike si pjesa tjetër e qytetit, ndërsa në disa raste jetojnë pranë zonave problematike me infrastrukturë të dobët dhe kanale ujërash të zeza.
Musai tha se tregu po funksionon jashtë logjikës së urbanitetit dhe vlera e pronës nuk po përcaktohet nga cilësia reale e jetesës.
“Kemi objekte që mund të kushtojnë 4 apo 5 mijë euro metri, por kanë afërsinë me kanalin e ujërave të zeza që është Lana. Kjo nuk është vlera e objektit. Tregon që këtu vlera është totalisht jashtë nocionit të urbanitetit.”-shtoi Musai.
U diskutua edhe për ndikimin e kostove të larta që rëndojnë mbi ndërtuesit, si taksa e infrastrukturës dhe pagesat për studiot e huaja arkitekturore, të cilat më pas reflektohen drejtpërdrejt në çmimin final që paguajnë qytetarët për një apartament në kryeqytet.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT" NË ORA NEWS:
