“Mision i pamundur” në Tiranë/ Eksperti Preçi: 17.4 vite kursime për një apartament 70 m²
Në një analizë mbi zhvillimet në sektorin e pasurive të paluajtshme, eksperti i ekonomisë Zef Preçi, i ftuar në emisionin “Ora e Betit”, foli për rritjen e ndërtimit në kryeqytet, mungesën e lidhjes me rritjen e popullsisë dhe efektet që kjo situatë po sjell në treg.
Ai shpjegon se Tirana po zgjerohet me ritme të shpejta në ndërtim, por jo në përputhje me nevojat reale të banorëve.
Sipas tij, ndërmjet dy censuseve të fundit, rritja e popullsisë ka qenë minimale, ndërsa lejet e ndërtimit kanë vijuar në nivele shumë të larta.
“Tirana po shtohet me ritme shumë të shpejta dhe krijon një pamje që tërheq vëmendjen. Por nëse e analizon më thellë, rritja e popullsisë mbetet shumë e ulët, rreth 1000 banorë në vit mes dy censuseve. Në të njëjtën kohë, lejet e ndërtimit janë shumë më të larta se nevojat reale të tregut.”-tha Preçi.
Eksperti shton se tregu po ndryshon edhe nga prania e kompanive të huaja dhe modelet e reja të investimit, ku emrat e mëdhenj ndërkombëtarë po zëvendësohen nga kompani të tjera që operojnë kryesisht si struktura ligjore.
“Sot shohim që kompanitë e njohura ndërkombëtare po zëvendësohen nga kompani kineze, turke apo arabe. Në disa raste flitet për modele franchise, ku jepet vetëm emri dhe mënyra e bashkëpunimit. Kjo krijon një deformim të tregut që prek gjithë qytetarët, sidomos shtresat më të varfra.”-shtoi Preçi.
Ai thekson se kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në aksesin e qytetarëve për të blerë banesë, duke e bërë strehimin gjithnjë e më të vështirë.
Sipas të dhënave të përmendura në analizë, një çift i ri ka nevojë për rreth 17.4 vite kursime për të blerë një apartament mesatar prej 70 metrash katrorë në Tiranë, jashtë zonave qendrore.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT" NË ORA NEWS:

