Ibrahimaj: 20 milionë euro financim për bizneset shqiptare për inovacion dhe tranzicion të gjelbër
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se ekonomia shqiptare ndodhet në një moment të mirë zhvillimi dhe se qeveria po punon për ta orientuar atë drejt inovacionit, digjitalizimit dhe integrimit më të thellë europian, përmes partneriteteve me institucionet financiare ndërkombëtare.
Gjatë fjalës së saj në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për linjën e re të financimit ndërmjet Bankës Europiane të Investimeve dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania, në prani të Kryeministrit Edi Rama dhe presidentes së BEI-t, Nadia Calviño, ministrja theksoi rëndësinë strategjike të këtij instrumenti për zhvillimin e biznesit shqiptar.
Marrëveshja, tha Ibrahimaj, nuk është vetëm një akt formal, por lidhet drejtpërdrejt me drejtimin e zhvillimit ekonomik të vendit.
“Kjo ka të bëjë me pikën ku është ekonomia shqiptare sot dhe ku po drejtohemi, dhe se si po punojmë për të ardhmen tonë me partnerët tanë europianë”, tha ministrja.
Duke paraqitur një panoramë të zhvillimit ekonomik, Ibrahimaj vlerësoi se Shqipëria ka kaluar një transformim të ndjeshëm gjatë dekadës së fundit.
“Zhvillimi ekonomik shqiptar është në një moment mjaft të mirë. Dekadën e kaluar Shqipëria kaloi një transformim jo vetëm institucional, por edhe teknologjik. Ekonomia është më e formalizuar, më transparente dhe më konkurruese”, theksoi ajo.
Sipas saj, Prodhimi i Brendshëm Bruto është dyfishuar në më shumë se një dekadë, ndërsa eksportet janë të orientuara kryesisht drejt tregut europian.
“Në mbi një dekadë PBB-ja jonë është rritur nga 13 miliardë në mbi 27 miliardë euro. Rreth 70% e eksporteve shqiptare shkojnë në Europë, duke treguar integrimin e ekonomisë sonë me atë europiane”, deklaroi Ibrahimaj.
Ministrja shtoi se Shqipëria ka ruajtur stabilitet makroekonomik dhe ka përmirësuar ndjeshëm financat publike.
“Borxhi publik është ulur nga mbi 70% e PBB-së një dekadë më parë në më pak se 50% sot, ndërkohë që ekonomia ka vijuar të rritet me norma rreth 3,5% deri në 4%”, u shpreh ajo.
Një nga shtyllat kryesore të këtij transformimi, sipas Ibrahimajt, ka qenë digjitalizimi.
“Sot mbi 95% e shërbimeve publike në Shqipëri ofrohen online, me rreth 1200 shërbime digjitale, duke ulur ndjeshëm burokracinë dhe kostot për qytetarët dhe bizneset”, tha ajo.
Ajo vuri në dukje gjithashtu përparimin e sektorit privat në përdorimin e teknologjisë.
“Sot 99,4% e ndërmarrjeve shqiptare përdorin internetin dhe teknologjitë digjitale në aktivitetin e tyre, ndërsa investimet në automatizim, softuerë dhe zgjidhje inovative po rriten çdo vit”, theksoi ministrja.
Duke folur për perspektivën e integrimit europian, Ibrahimaj nënvizoi se Shqipëria po ecën në një drejtim të qartë zhvillimi.
“Rruga jonë është shumë e qartë, në drejtimin europian. Për të arritur standardet e tregut të përbashkët, duhet të investojmë më shumë në produktivitet, teknologji dhe inovacion”, deklaroi ajo.
Sipas saj, marrëveshja e nënshkruar sot përbën një instrument të rëndësishëm financiar për këtë qëllim.
“Instrumenti për inovacionin dhe transformimin e gjelbër i përgjigjet këtyre nevojave. Shqipëria është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor ku ky instrument prezantohet, çka reflekton besimin e partnerëve tanë europianë”, tha Ibrahimaj.
Ajo sqaroi se marrëveshja me Intesa Sanpaolo Bank Albania parashikon një financim prej 20 milionë eurosh për bizneset shqiptare.
“Ky financim do të mbështesë investime në tranzicionin e gjelbër dhe digjital, automatizimin industrial, inteligjencën artificiale, sistemet cloud, logjistikën inteligjente, energjinë e rinovueshme dhe eficiencën energjetike”, u shpreh ajo.
Një element i rëndësishëm i instrumentit, sipas ministres, është edhe mekanizmi “cashback”, i cili synon të ulë kostot për bizneset.
“Përmes këtij mekanizmi, 10% e investimeve të kryera nga bizneset në inovacion, digjitalizim dhe tranzicion të gjelbër do të kthehen mbrapsht pas zbatimit të suksesshëm”, tha Ibrahimaj.
Ministrja falënderoi Bankën Europiane të Investimeve, Komisionin Europian dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania për bashkëpunimin.
“Besoj fort se ky është vetëm fillimi i një faze të re bashkëpunimi që do të ndihmojë përshpejtimin e ekonomisë shqiptare dhe zhvillimin e një sektori privat më modern, më konkurrues dhe më inovator”, përfundoi Ibrahimaj.

