Caktohet gjyqtarja për dosjen e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj (EMRI)
Shorti elektronik i Gjykatës së Posaçme ka caktuar gjyqtaren e seancës paraprake, Alma Kodraliun, për dosjen në ngarkim të ish-zëvendëskryeministrit në arrati, Arben Ahmetaj, ish-bashkëshortes dhe bashkëjetueses së tij, si dhe disa biznesmenëve të përfshirë në një fraksion të dosjes së inceneratorit të Elbasanit.
Kodraliu do të jetë gjyqtarja e vetme që do të vendosë nëse dosja do të kalojë për gjykim apo do t’i kthehet SPAK-ut për veprime të mëtejshme.
Fillimisht, për këtë dosje ishte caktuar gjyqtari Erjon Çela, por ai ia kaloi çështjen gjyqtares Rudina Palloj, pasi kjo e fundit kishte shqyrtuar më herët dosjen bazë të inceneratorit të Elbasanit.
Sipas informacioneve, edhe gjyqtarja Palloj ka paraqitur dorëheqjen, pasi më herët kishte shqyrtuar një kërkesë me palët në proces.
Prokuroria e Posaçme, përmes avokatit, i ka komunikuar Arben Ahmetajt tre akuza: “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje apo mosdeklarim pasurie”.
SPAK akuzon ish-zëvendëskryeministrin, i cili ndodhet në arrati që prej verës së vitit 2023, për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash në 5 raste në bashkëpunim, si dhe fshehje apo mosdeklarim pasurie në 15 raste.
Ndaj Albina Mackës dhe Erjola Hoxhës janë ngritur akuzat për “fshehje apo mosdeklarim pasurie” dhe “pastrim parash”.
Për biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, SPAK ka ngritur akuzën e “korrupsionit aktiv”, ndërsa për “pastrim parash” akuzohen Andi Boni, Elda Dinaj, Gerian Kuka, Helidon Begaj, Sonila Goxhaj dhe Sokol Meçemeja.
Më 18 mars, SPAK njoftoi mediat se kishte mbyllur hetimet për Arben Ahmetajn. Hetimi është kryer nga prokurorët Bledar Maksuti, Altin Dumani dhe Enkeleda Millonai.
Nga hetimet janë zbuluar disa pasuri të fshehura të Arben Ahmetajt, raste korrupsioni me dy biznesmenët e inceneratorëve, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, si dhe bashkëpunime me Sokol Meçemenë dhe Sonila Goxhajn për pastrim parash.
Arben Ahmetaj ndodhet në kërkim nga drejtësia shqiptare prej më shumë se tre vitesh.


