Shqiptari i 97-ës në SHBA: Pas 30 vitesh emigrim, thirrje për kthim dhe bashkim të diasporës
Në një lidhje direkte për Ora News, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ftuar ishte Ervin Toro, një emigrant shqiptar që jeton prej gati 30 vitesh në Nju Jork, i cili ka ndarë historinë e tij dhe mendimet për diasporën shqiptare.
Ervin Toro ka mbërritur në SHBA në vitin 1997, në një periudhë të vështirë për Shqipërinë.
Ai thotë se rruga e tij ka qenë e gjatë, me punë dhe vështirësi, por që i ka dhënë mundësinë të ndërtojë një jetë dhe karrierë.
“Kam ardhur në ‘97-ën në Amerikë. Ka qenë një periudhë e vështirë dhe kemi filluar nga e para, si çdo emigrant. Me shumë punë dhe sforco kemi ndërtuar jetën tonë këtu.”-tha ai
Ai tregon se komuniteti shqiptar në SHBA ka arritur shumë individualisht, por sipas tij mungon organizimi si diasporë për të pasur ndikim më të madh.
“Besoj se ka ardhur koha që diaspora të organizohet më mirë. Fillimisht të fuqizojmë komunitetin këtu, dhe më pas të kontribuojmë më shumë në Shqipëri dhe Kosovë.”-u shpreh Toro.
Toro shprehet se rikthimi në Shqipëri mbetet një mendim i vazhdueshëm në familjen e tij dhe një dëshirë personale për të ardhmen. Ai shton se Shqipëria ka nevojë për njerëzit që kanë ndërtuar jetë dhe përvojë jashtë vendit.
Ai i bën thirrje bashkatdhetarëve që një pjesë e tyre të mendojnë për kthimin dhe kontributin në vendin e origjinës, duke e parë diasporën si një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e vendit.

