Ndryshime në komunikimet e Policisë së Shtetit/ Hita: Ja si do informohen qytetarët për ngjarjet e rënda kr*minale
Kreu i Policisë së Shtetit Skënder Hitaj, ka dalë këtë të enjte, më 7 maj, në një konferencë për mediat ku ka njoftuar se do të ndryshojë forma e komunikimit me publikun.
"Sot dua të ndaj me ju një vendim të rëndësishëm të Policisë së Shtetit që lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si ne komunikojmë me ju dhe me publikun.
Ky vendim nuk vjen rastësisht, por është rezultat i një reflektimi serioz mbi reagimet e shumta të qytetarëve, të cilët kanë shprehur, kanë shprehur shqetësimin e tyre për impaktin negativ që krijon në shoqëri mënyra se si përcillen çdo ditë lajmet mbi ngjarjet kriminale dhe shumë lajme që ne i japim nga çdo qark në përmbledhje ditore. I kam pritur dhe dëgjuar këto shqetësime me shumë seriozitet dhe përgjegjësi.
Kam kryer konsultime me specialistë të fushës, kam komunikuar me shumë nga homologët e mi në Ballkan dhe Europë dhe më rezulton se mënyra se si veprojmë, ndikojmë negativisht në shoqëri dhe në jetën e përditshme të qytetarëve.
Nisur nga sa më lart, Policia e Shtetit do të zbatojë një formë të re komunikimi, më të përgjegjshme, më të strukturuar dhe në përputhje me modelet më të mira evropiane.
Dua të theksoj qartë, kjo nuk është një tërheqje nga transparenca. Përkundrazi, është një hap përpara drejt një transparence më cilësore dhe më profesionale. Sepse ne besojmë se qytetarët nuk kanë nevojë për më shumë informacion, por për informacion të saktë, të verifikuar dhe të përgjegjshëm.
Një informacion të matur që mos të ndikojë te perceptimi negativ dhe te kriminalizimi i shoqërisë. Çfarë ndryshon konkretisht në formën e re të komunikimit?
Së pari, të gjitha të dhënat statistikore mujore dhe vjetore mbi kriminalitetin dhe sigurinë publike do të jenë të aksesueshme në mënyrë të plotë në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit. Së dyti, për ngjarjet dinamike, titullarët e policisë në vendngjarje do të japin informacionin e nevojshëm për mediat dhe publikun në kohë reale dhe të shoqëruar me informacionin paraprak nga zëdhënësja e policisë.
Kjo praktikë tashmë ka nisur dhe do të konsolidohet edhe më tej. Së treti, drejtuesit e drejtorive vendore të policisë me stafet e tyre do të zhvillojnë konferenca mujore për të bërë transparencë të punës, rezultatet dhe sfidat në çdo qark. Së katërti, për ngjarjet me impakt të lartë apo operacione të rëndësishme policore, Policia e Shtetit do të informojë në kohë dhe në mënyrë të plotë nëpërmjet kanaleve zyrtare.
Përse po e bëjmë këtë ndryshim? Mbingarkesa me lajme kriminale, shpesh të dhëna në mënyrë të fragmentuar apo të nxituar, krijon një ndjenjë pasigurie që jo gjithmonë pasqyron realitetin. Informacioni i pakonfirmuar dëmton jo vetëm hetimet, por edhe besimin e qytetarëve dhe të institucioneve.
Policia e Shtetit nuk është vetëm kronikë krimi, por ajo është çdo ditë në terren për parandalimin, për bashkëpunimin me komunitetin, për takimet me këshillat e sigurisë, si dhe për edukimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve. Këto janë vlera që duhet të komunikohen po aq fort sa dhe lufta kundër krimit.
Të nderuar përfaqësues të medias, të nderuar qytetarë. Kjo konferencë nuk duhet parë thjesht si një komunikim periodik me median, por si një pjesë e një standardi të ri institucional ku informimi publik do të jetë më i plotë, më i drejtpërdrejtë dhe më pranë shqetësimeve reale të qytetarëve.
Ne jemi të vetëdijshëm se sfidat përballë rendit dhe sigurisë janë të shumta, por po aq i vendosur është dhe angazhimi ynë për t'i përballuar ato me seriozitet dhe profesionalizëm. Qëllimi im është i qartë: të ndërtoj një komunikim që informon, por nuk alarmon, që është transparent dhe i përgjegjshëm, që forcon besimin dhe jo pasigurinë. Qëllimi ynë nuk është thjesht të informojmë më shumë, por të informojmë më drejt. Më saktë dhe gjithmonë në interes të sigurisë", tha Hitaj
