“Po presim tragjedinë tjetër”/ Banorët e ish-Kënetës denoncojnë gjendjen rrugëve pas aksidentit fatal të dy të miturve

“Po presim tragjedinë tjetër”/ Banorët e
Tragjedia e rëndë rrugore në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe mbeti i plagosur një tjetër, ka rikthyer shqetësimin e banorëve për sigurinë në rrugët e qytetit.

Këtë të enjte, banorët e zonës së ish-Kënetës denoncuan gjendjen problematike të infrastrukturës rrugore, duke thënë se investimi në rrugë ka mbetur i papërfunduar dhe se mungojnë sinjalistika dhe ndriçimi.

Sipas tyre, gjatë natës segmenti kthehet në një zonë të rrezikshme, pasi shumë automjete lëvizin me shpejtësi të lartë.

Banorët shprehen se një tjetër problem janë kryqëzimet në zonë, të cilat sipas tyre janë bërë shkak për aksidente të shumta.

Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për të përmirësuar sigurinë dhe për të shmangur ngjarje të tjera tragjike.

Pas aksidentit që tronditi qytetin, shqetësimet për mungesën e standardeve në disa segmente rrugore janë shtuar, ndërsa banorët kërkojnë masa konkrete për mbrojtjen e jetës së qytetarëve.