Helmimi i 56 studentëve të Sigurisë, kompania 'Sori-Al' fituese e 75 tenderave publikë me vlerë 4.2 mld lekë
Dy persona kanë rënë në prangat e policisë dhe një tjetër është shpallur në kërkim pas helmimit të mbi 56 studentëve në Akademinë e Sigurisë, ngjarje që ngriti dyshime të forta mbi kushtet dhe kontrollin e ushqimit të shpërndarë në institucion.
Sipas policisë në pranga kanë përfunduar Kristjana Plaka, 23 vjeçe, me detyrë teknologe ushqimi, dhe Kujtim Ballgjini, 52 vjeç, kuzhinieri që shpërndante ushqimin në tre vaktet ditore për studentët.
Policia njoftoi gjithashtu se administratorja e kompanisë së kateringut "SORI-AL", Alma Tafani, 52 vjeçe, është shpallur në kërkim.
Ndërkohë, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë edhe për një 35-vjeçar, teknologe ushqimi në të njëjtën kompani, ndaj së cilës nisi procedimi në gjendje të lirë.
Studentët e prekur nga helmimi kanë shfaqur simptoma të forta, mes tyre të vjella dhe dhimbje të forta barku. Ata u paraqitën për ndihmë mjekësore në spital, ku morën trajtim me medikamente dhe serume, për t’u rikthyer më pas në ambientet e Akademisë së Sigurisë.
Akademia e Sigurisë e siguron shërbimin ushqimor përmes një kompanie private kateringu “SORI-AL” , e cila ofron tre vaktet ditore për studentët.
Deri në fund të vitit 2025, kompania Sori-Al rezulton si fituese e 75 tenderave publikë, me vlerë totale 4.2 miliardë lekë.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për këtë rast:
-arrestuan në flagrancë shtetasit K. B., 52 vjeç dhe K. P., 23 vjeçe, me detyra respektive kuzhinier dhe teknologe ushqimi në kompaninë e kontraktuar për të ofruar ushqim në Akademinë e Sigurisë; -referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen R. Ç., 35 vjeçe, me detyrë teknologe ushqimi në këtë kompani;
-shpallën në kërkim administratoren e kompanisë, shtetasen A. T., 52 vjeçe",njofton policia./Pamfleti

