BENET BECI ME GJYQTAR TË RI/ Elsa Ulliri lë gjykimin e kryebashkiakut për tenderin e KESH

Elsa Ulliri ka dhënë dorëheqjen nga gjykimi i dosjes ndaj kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, për abuzime me tenderat në kohën kur drejtonte KESH-in. Në vend të saj, GJKKO caktoi Besmir Strokën si gjyqtar relator të çështjes.

Elsa Ulliri, gjyqtarja e cila ishte caktuar me short për të gjykuar dosjen në ngarkim të kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka dhënë dorëheqjen nga çështja penale për abuzime në kohën kur Ai drejtonte Koorporatën Elektroenergjetike shqiptare.

Ulliri mësohet se ia ka paraqitur dorëheqjen dhe arsyet kryetarit të GJykatës së Posacme, I cili ka pranuar tërheqjen , duke caktuar Besmir Strokën si gjyqtar relator të cështjes.

Ndërkohë, Irena Gjoka dhe Etleva Deda do të vijojnë të jenë pjesë e trupës gjykuese.

Seanca e parë ndaj Benet Becit dështoi, pasi dy prej avokatëve nuk u paraqitën, duke e shtyrë atë për në datën 20 maj, ora 10:00.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi më 17 mars të kalojë për gjykim në themel çështjen penale në ngarkim të Becit dhe gjashtë të pandehurve të tjerë, anëtarë të njësisë së prokurimit të KESH-it, të cilët akuzohen se favorizuan një kompani private në një prokurim me vlerë 69.5 milionë lekë.

Sipas SPAK-ut, të pandehurit kanë shkelur barazinë mes operatorëve në një tender konsulence të zhvilluar nga KESH-i në vitin 2019, me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjetik”.

Nga hetimet ka rezultuar se i pandehuri Benet Beci, në bashkëpunim me gjashtë vartësit e tij, kanë vepruar në kundërshtim me legjislacionin për prokurimet publike, duke paracaktuar dhe krijuar avantazhe e privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, “Consulting & Management Albania” sh.p.k.

Hetimi ndaj Becit dhe ish-vartësve të tij për këtë çështje nisi pas verifikimit dhe analizimit të provave materiale të sekuestruara gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Evis Berberit, i cili akuzohet gjithashtu për shkelje të barazisë në tendera dhe pastrim parash.