Tabaku: Raporti i PE nxjerr në pah problemet që pengojnë integrimin e Shqipërisë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, duke folur për mediat nga oborri i Kuvendit lidhur me raportin e fundit të miratuar nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian për Shqipërinë, duke e cilësuar atë si një pasqyrim të qartë të problematikave që pengojnë integrimin europian të vendit.

Tabaku theksoi se drafti fillestar i raportit kishte mbi 300 amendamente, të cilat sipas saj u reflektuan në variantin final. Ajo falënderoi raporterin Andreas Schieder, si edhe përfaqësuesit e PPE-së, Andrey Kovatchev dhe David McAllister, të cilët morën pjesë edhe në misionin vëzhgues në Tiranë.

Sipas deputetes, raporti ngre shqetësime serioze për procesin zgjedhor në Shqipëri, duke reflektuar gjetjet e OSBE-ODIHR dhe duke kërkuar reformë gjithëpërfshirëse elektorale dhe territoriale me përfshirjen e opozitës.

Ajo përmendi si shqetësuese ligje të tilla si ato për portet, investimet strategjike dhe AKSHI-n, të cilat sipas saj ‘nuk janë në frymën e Bashkimit Europian’.

‘Pengesa në procesin e integrimit janë pikërisht këto shqetësime’, deklaroi Tabaku, duke shtuar se qeveria duhet ta shohë raportin si një plan pune për reformat që kërkohen në rrugën europiane të Shqipërisë.

Prononcimi i deputetes së PD, Jorida Tabaku:

Më lejoni së pari të përshëndes raportin që Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian miratoi gjatë kësaj jave. Një raport i cili si rrallë ndonjëherë, drafti fillestar pati mbi 300 amendamente.

300 amendamente të cilat u prezantuan dhe u përfshinë në variantin final të raportit dhe unë dua të marr rastin të falenderoj përveç reporterit Andreas Schieder, i cili përfaqëson grupin e majtë, dy kolegë edhe te EPP-së, raporterin e EPP-së zotin Kovatchev po njëkohësisht dhe kryetarin e komisionit McAllister, të cilët ishin dhe në Tiranë me një mision në fakt mbledhës, i cili konkludoi me këtë raport.

Dua të përmend disa elementë nga raporti. Elementi i parë lidhet me zgjedhjet dhe ashtu siç citohet dhe në raport, të gjitha shqetësimet e OSBE-ODIHR-it gjejnë vend edhe aty, për zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe bën thirrje për një reformë gjithëpërfshirëse elektorale, por njëkohësisht dhe territoriale, me përfshirjen e opozitës.

Së dyti, ngre shqetësime serioze përsa i përket luftës së korrupsionit. Për rolin që ka parlamenti, për rolin që kanë gjykatat dhe i bën thirrje qeverisë për trajtimin e çështjes së imunitetit me përparësi menjëherë sipas kuadrit kushtetues, duke iu referuar rastit të zëvendëskryeministres.

Së treti, ka një pjesë shumë të gjerë përsa i përket lirisë së mediave, që unë besoj që të gjithë e keni lexuar, të gjithë e keni parë.

Për sulmet ndaj gazetarëve, për presionet, po njëkohësisht edhe për paditë strategjike, që janë disa fusha të cilat edhe bashkë i kemi diskutuar dhe që edhe në emër të opozitës do t'i çojmë përpara.

Flet për rolin e parlamentit, për faktin që parlamenti duhet të forcojë rolin e tij ligjbërës, duhet të përmirësojë cilësinë e ligjeve, hapësirën e opozitës atje dhe flet për koncesionet, partneritetet publike-private, luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar. Sot shqiptarët e kanë të qartë se kush ka qenë procesi i integrimit dhe kush ka qenë pengesa.

Pengesa në procesin e integrimit janë këto shqetësime. Janë pikërisht këto shqetësime që janë reflektuar dhe në raportin e IBAR, të cilët besoj që i kanë bërë vendet anëtare më të ndërgjegjshme për situatën në Shqipëri, janë të njëjtat shqetësime që ngre edhe opozita. Unë shpresoj shumë që qeveria t'i shohë ato si një plan pune.

Jam e sigurt që nuk e kanë lexuar se po ta kishin lexuar nuk do e kishin përshëndetur, por t'i shohë ato si një plan pune për rrugën që duhet të ketë Shqipëria.

Miratimi i ligjeve si ai i porteve, i koncesionit të porteve, i investimeve strategjike, ligji i AKSHI-t e shumë ligje të tjera që nuk janë në frymën e BE-së, janë pengesë reale.

Mosvotimi i imunitetit është pengesë reale. Këto janë çështjet që duhet të diskutojë Shqipëria sot dhe këto janë çështjet që procesi i integrimit i ka në krye të rendit të ditës.

Unë dua t'ju falënderoj dhe ju për reflektimin e raportit, për përmbajtjen e tij dhe shpresoj shumë që të kemi një ndërgjegjësim më të madh për faktin që Shqipëria duhet t'i zgjidhë këto probleme përpara se të ecë