"Integrimi europian nuk ecën me ligje në letër"/ Xhixho: Mungesa e zbatimit e raportet e bllokuara po 'frenojnë' progresin
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ishte e ftuar në emisionin “Ora e Betit”, ku u diskutua mbi procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe pengesat që sipas saj po ndikojnë në këtë rrugë.
Xhixho tha se, ndonëse Shqipëria ka hapur kapitujt e negociatave, progresi real kërkon zbatim të reformave dhe jo vetëm miratim formal ligjesh.
Sipas saj, një nga problemet kryesore mbetet mungesa e zbatimit të shtetit të së drejtës dhe ngadalësimi i disa proceseve kyçe të integrimit.
“Procesi i integrimit nuk ecën vetëm me ligje të miratuara në letër. Ajo që kërkohet është zbatimi i tyre dhe vullneti politik për të çuar përpara reformat në të gjitha fushat.”-tha Xhixho.
Ajo u ndal edhe te një raport i ndërmjetëm që lidhet me kapitujt e negociatave, i cili sipas saj është ende i pamiratuar dhe ka ndikim në ecurinë e procesit. Ky raport përfshin fusha si drejtësia, të drejtat themelore dhe liria e medias.
“Ky raport është i rëndësishëm për mbylljen e kapitujve. Pa miratimin dhe zbatimin e tij, procesi i integrimit nuk mund të ecë përpara.”-u shpreh deputetja.
Xhixho përmendi edhe debatet e fundit në Kuvend lidhur me imunitetin parlamentar dhe mënyrën se si këto çështje janë reflektuar në raportimet ndërkombëtare.
Sipas saj, këto zhvillime kanë ndikuar në ngadalësimin e procesit të integrimit europian.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT" NË ORA NEWS:

