Propozimet për Reformën Zgjedhore, Krasniqi: Kontrolli i financimeve politike të realizohet nga KLSH-ja

Drejtori i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, paraqiti sot një paketë me 22 rekomandime për përmirësimin e kuadrit ligjor mbi financimin e partive politike, duke theksuar se sistemi aktual ka boshllëqe të ndjeshme në transparencë dhe kontroll.

Deklarata e Krasniqit erdhi gjatë punimeve të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore. Krasniqi tha se Shqipëria ka detyrimin kushtetues që partitë politike të bëjnë publike shpenzimet e tyre, një standard që nuk zbatohet në të njëjtën mënyrë në shumë vende të tjera.

Krasniqi identifikoi dy nga çështjet kryesore në zgjedhjet e fundit parlamentare: përdorimin e burimeve shtetërore dhe atë që ai i cilëson si burime informale në financimin e fushatave.

“Formula e propozuar nuk jep një zgjidhje shteruese, pasi mbështetet kryesisht në monitorim administrativ dhe në krijimin e një databaze që aktualisht nuk ekziston,” u shpreh Krasniqi. Sipas tij, mungesa e një sistemi të integruar e bën të vështirë verifikimin e financuesve, përfshirë rastet kur ata mund të kenë rekorde kriminale ose të jenë subjekt ndalimi.

Krasniqi nënvizoi se kapacitetet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk janë të mjaftueshme duke theksuar se struktura aktuale dhe proceset vendimmarrëse të institucionit janë të ngadalta.

Duke iu referuar modeleve ndërkombëtare, Krasniqi veçoi modelin kroat si më të mirin në rajon. Në këtë model, kontrolli i financimeve politike realizohet nga një institucion auditimi si Kontrolli i Lartë i Shtetit, duke shmangur krijimin e strukturave të reja që mund të mos jenë funksionale.

“Do të ishte më efektive të forcohen institucionet ekzistuese sesa të krijohen struktura të reja, ku thjesht shtohen punonjës, me shpresën që do t’i lexojnë më mirë shkresat,” theksoi ai.

Në lidhje me sanksionet, Krasniqi kërkoi qasje më të fortë, të ngjashme me ligjin e dekriminalizimit, ku shkeljet të shoqërohen me penalitete konkrete për partitë dhe subjektet politike. Sipas tij, vetëm përmes një sistemi të qartë kontrolli dhe ndëshkimi mund të garantohet transparencë reale dhe integritet në financimin e politikës.