Berisha-deputetëve: Çdo minutë, fokusi te përgatitja e kryengritjes paqësore të 8 majit
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, u bëri thirrje deputetëve që të vijojnë përgatitjet për protestën e cila do të zhvillohet me 8 maj, të cilën e cilësoi si një “kryengritje paqësore”.
Gjatë fjalës së tij nga selia blu, Berisha theksoi se kjo protestë është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për opozitën shqiptare dhe shqiptarët.
Ai kërkoi që “çdo minutë dhe çdo orë” t’i kushtohet organizimit të protestës. Sipas tij qeveria nuk ka legjitimitet pasi zgjedhjet “janë vjedhur”.
“Në mënyrën më të vendosur u bëj thirrje që çdo minutë, çdo orë t’ia kushtojmë përgatitjes së këtij akti të kryengritjes paqësore të 8 majit, si mesazhi më i rëndësishëm që ne u përcjellim shqiptarëve në kushtet kur përpiqen me çdo mjetet t’i dekurajojnë. Përpiqen me të gjitha mjetet të mbjellin terror në grahmat e fundit. Të dëshmojmë se ne nuk pranojmë kurrë Edi Ramën, qeverinë e tij si të ligjshme, nuk ka asnjë legjitimitet për shkak të zgjedhjeve që ka rrëmbyer, për shkak të vjedhjeve me të cilat është kapur”, tha Berisha.
Sipas tij, protesta e 8 majit synon të dëshmojë se PD përfaqëson “zërin e ndërgjegjes së shqiptarëve” dhe se është forca kryesore integruese dhe forca kryesore që punon për të ardhmen e këtij vendi.
