8 Maji/ Këlliçi: Protestoni për të ardhmen tuaj, jo për partinë!

Deputeti demokrat, Belind Këlliçi, ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në protestën e 8 majit për të kërkuar sipas tij, ndryshime dhe për të mbrojtur të ardhmen e familjeve të tyre.

Nga foltorja e PD-së, Këlliçi ngriti shqetësime mbi mungesën e kopshteve dhe çerdheve, nivelin e lartë të ndotjes dhe problemet e tjera që ndikojnë në jetën e përditshme të banorëve.

Sipas tij, për këto arsye qytetarët duhet të bashkohen në protestë, jo për partinë por për të ardhmen e tyre.

“Një njësi që vuan për kopshte dhe çerdhe, ka kaluar nivelin e ndotjes 14 herë mbi normën e pranuar nga Bashkia e Tiranës. Një njësi që ndodhet në zemër të kryeqytetit, por sa i përket pastrimit të parave, prin në të gjitha drejtimet për keq.

Banorët do të duhet të dalin para Kryeministrisë, jo për partitë politike, jo për PD, por për veten e tyre, për familjen e tyre.

Është kjo qeverisja që ka larguar 1 milion shqiptarë, është kjo qeveri që ka rritur çmimin e naftës; kemi pagat më të ulëta në botë. Problemet janë politike, por jo partiake. Kjo qeveri ka marrë peng fatin dhe të ardhmen e vendit tonë dhe duhet të ndalet një orë e më parë.

Bashkohuni në 8 maj për të larguar Ramën dhe për t’i hapur rrugën europiane Shqipërisë”, tha Këlliçi.