PD SËRISH NË SHESH/ Baçi: Tubim i hapur për qytetarët, 11 maji është arsyeja për të protestuar

I ftuar në studion e “Ora News” ishte deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, i cili foli për protestën e paralajmëruar nga opozita që pritet të zhvillohet më 8 maj në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Ai u shpreh se protesta do të jetë e gjerë dhe me pjesëmarrje të qytetarëve, duke e lidhur atë me pretendimet e opozitës për manipulim të zgjedhjeve të 11 majit.

Sipas tij, situata politike në vend lidhet me një qeverisje që opozita nuk e konsideron legjitime dhe me problematika të ndryshme që ajo i quan skandale.

“Në orën 19:00 në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ pritet të jetë një protestë e fuqishme dhe gjithëpërfshirëse e qytetarëve. Ne vlerësojmë se zgjedhjet e 11 majit kanë pasur problematika serioze dhe kjo është arsyeja pse protestat vazhdojnë.”-u shpreh Baçi.

Ai shtoi se protestat do të vijojnë si pjesë e qëndrimit të opozitës ndaj situatës politike në vend.

Gjatë intervistës u ngrit edhe çështja e numrit të protestave të zhvilluara deri tani.

Nuk u dha një shifër e saktë, duke u përmendur se mund të jetë protesta e tetë ose e nënta.

“Mund të jetë protesta e tetë ose e nënta, por personalisht nuk do të doja t’i numëroja protestat. Jam kundër kësaj mënyre të klasifikimit të tyre.”-tha deputeti.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: